“Mbrëmë mora të dhënat për hyrjet në Shqipëri”, Kryeministri bën të ditur shifrat: 350 mijë më shumë se vjet nga aeroporti
Nga aeroporti “Nënë Tereza” kanë hyrë thuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, ose mbi 350 mijë më shumë se sa vjet.
Shifrat i bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama përmes një videomesazhi nga Dhërmiu ku pushon gjatë verës prej 10 vitesh.
Rama ndau të dhënat e hyrjeve në Shqipëri, vetëm nga kufiri “Nënë Tereza” dhe në pikën kufitare të Morinit.
“Mbrëmë mora të dhënat për hyrjet në Shqipëri, vetëm nga kufiri ‘Nënë Tereza’ dhe në pikën kufitare të Morinit dhe m’u duk e udhës t’i ndaj me ju. Nga aeroporti kanë hyrë thuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë se sa vjet. Madje, këtë korrik është thyer edhe një rekord tjetër, ai i hyrjeve në një ditë të vetme, 44 mijë. Aeroporti ka arritur të operojë deri në 252 fluturime në ciklin e 24 orëve, një volum marramendës dhe i paimagjinueshëm deri pak vite më parë”, tha Rama.
Rama theksoi se “fatmirësisht për shifrat e aeroportit nuk mund të thonë dot gjë as ato gojët me qime të atyre që nuk pushojnë u zbraz Shqipëria, edhe nga shqiptarët tani, edhe nga turistët, sepse aeroporti i Tiranës po mbush vitin në krye të klasifikimit Europian për rritjen relative me vitet paraardhëse”.
“Ndërsa në vlerë absolute, numër pasagjerësh për numër pasagjerësh, Tirana e ka spostuar në vendin e dytë aeroportin e Beogradit, i cili historikisht ka qenë i pari dhe absolut në këtë rajon”, theksoi ai.
Rama solli në vëmendje edhe shifrat e hyrjeve në Morinë, që i tregon regjistri elektronik i pagesës së autostradës, ku mund lexohet çdo hyrje tregojnë se këtë vit kanë hyrë 175 mijë automjete më shumë se sa vjet, ndërsa në korrik 3 mijë më shumë, se korrikun e shkuar.
“Pra edhe ajo teoria keqdashëse e përhapur këtë sezon me teori të tjetra për shqiptarët e Kosovës që e paskan braktisur Shqipërinë, është një zero me xhufkë”, tha ai.
Nga ana tjetër, kryeministri theksoi se “janë shifrat e të ardhurat nga doganat e tatimet që edhe ato janë me rritje krahasuar me vjet, pikërisht sepse ka një rritje të konsiderueshme konsumatorësh krahasuar me vjet”.
“Më shumë njerëz që shpenzojnë këtu në Shqipëri. Është e habitshme se sa të pamundur e ka një pjesë e jona t’i gëzohet suksesit të Shqipërisë, po kjo dihet. Megjithatë shyqyr që është një pjesë që zvogëlohet krahasimisht me Shqipërinë që rritet e forcohet. Madje jo vetëm kaq, po për disa është për të thënë shyqyr që i kemi, tamam si atë hudhrat në dyert e shtëpive, që e mbrojnë vendin nga syri i keq”, tha Rama.
“Pushime të mbara dhe askush mos të mendojë se nuk po mbajmë shënime për të nxjerrë mësime nga ky sezon që është shumë i mbarë mbarë, e për të korrigjuar dhe gabime për të adresuar që në sezonin e ardhshëm të kemi edhe më shumë mbarësi, po edhe më shumë cilësi, sepse maja e Shqipërisë 2030 është një objektiv strategjik, është gjithmonë e më afër, po për ta arritur është një sfidë që duhet përballur me shumë mund, me shumë vullnet, me shumë durim, po mbi të gjithë më një bindje absolute se Shqipëria do të jetë kampionia e padiskutueshme e turizmit dhe jo vetëm e turizmit në këtë rajonin tonë”, shtoi ai.
Fraksion.com