“I ka ndodhur edhe Talat Xhaferit”, ministri shqiptar i MV, për incidentin me Osmanin: Shteti s’ka kompetenca
Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë dhe një nga udhëheqësit e VLEN-it, koalicionit shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ka reaguar pas incidentit të presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit. Sipas Taravarit, BDI-ja, partia e udhëhequr nga Ali Ahmeti, po përdorë gënjeshtra dhe manipulime për të dëmtuar VLEN-in. Ai ka shkruar se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kompetencë mbi sigurinë e aeroportit.
“Si VLEN, shprehim shqetësimin tonë se si një parti politike në Maqedoninë e Veriut, konkretisht BDI, po përdor gënjeshtra dhe manipulime në përpjekje për të dëmtuar vetëm VLEN-in, pa u shqetësuar për pasojat që mund t’i sjellë Kosovës. Ne i bëjmë thirrje opinionit që të ndjekë faktet dhe jo propagandën e BDI-së.
Faktet janë si më poshtë:
1. MPB dhe shteti nuk kanë kompetencë mbi sigurinë e aeroportit, por kjo është në kompetencë të koncesionarit, në këtë rast TAV-it.
2. Sipas Konventës së Vjenës, udhëheqësit shtetërorë kanë trajtim të veçantë gjatë udhëtimit, por detajet e protokolleve të sigurisë i përcakton koncesionari i aeroportit.
3. Një keqkuptim i ngjashëm ka ndodhur edhe kur Talat Xhaferi ishte kryeministër teknik, pse BDI-ja nuk flet për këtë? Dhe e ftojmë BDI-në të përgjigjet nëse gjatë udhëtimeve të tyre kanë shmangur skanerat.” – ka shkruar ai, ndër të tjera.
Fraksion.com