Çfarë do të thotë për Putinin këmbimi i të burgosurve me Perëndimin?
Nga Krenare Cubolli
Shtetet e Bashkuarakanë arritur të nxjerrin prej burgjeve ruse shtetas amerikanë, perëndimorë dhe disa rusë të burgosur prej Qeverisë së tyre.
Pse Qeveria e presidentit rus, Vladimir Putin, i ka liruar ata dhe pse tani?
Ja tri arsye.
‘Patriotë’ dhe të burgosur
Përgjatë 25 vjetëve të tij në pushtet në Rusi, si president apo kryeministër, Putin ka përhapur vazhdimisht sinjale ndaj rusëve se kë konsideron të besueshëm: figura besnike që shërbejnë në emër të interesave të shtetit, e sidomos nëse veprimet e tyre përbëjnë fyerje për Perëndimin.
Këto sinjale mund të jenë bërë më të qarta se kurrë, prej kur Putin ka nisur luftën e plotë të Rusisë në Ukrainë, më 2022.
Ai ka dekoruar ushtarë prej njësiteve që janë akuzuar për kryerje të mizorive në vendin fqinj dhe ka shtypur disidentët më shumë se kurrë, sidomos aktivizimin kundër luftës.
Putin, i cili ka shërbyer për kohë të gjatë në KGB-në ruse, dhe më pas si shef i agjencisë pasardhëse, Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), e ka përsëritur disa herë para ngjitjes në pushtet se Kremlini mbron ata që i konsideron rusë të denjë, përfshirë ata që janë parë si anëtarë besnikë të forcave të sigurisë.
Një shembull tipik i vlerave që ka projektuar Putini është Vadim Krasikov, ish-pjesëtari i FSB-së, i cili konsiderohet figura kyçe – të paktën për Putinin – në këtë këmbim të të burgosurve.
Krasikov ka qenë duke kryer dënim me burgim të përjetshëm në Gjermani për kryerjen e një vrasjeje më 2019, në një park në Berlin, në pikën e ditës.
Ai është akuzuar për vrasjen e shtetasit të Gjeorgjisë, Zelimkhan Khangoshvili, ish-komandat në Çeçeni.
Prokurorët në Gjermani kanë pretenduar se Moska e ka urdhëruar vrasjen, sepse Khangoshvili i ka komanduar forcat separatiste në rajonin e Kaukazit Verior në Rusi, në periudhën 2000 – 2004, në Luftën e Dytë Çeçene, e cila ka ndihmuar në çimentim të autoritetit të Putinit, duke nisur si kryeministër më 1999, dhe më pas si president në vitin 2000.
Në një intervistë për figurën mediale amerikane, Tucker Carlson, në shkurt, Putin e ka lavdëruar Krasikovin, ndonëse nuk ia ka përmendur emrin.
Ai i është referuar atij si “person që, për shkak të emocionit patriotik, e ka eliminuar një bandit në njërin prej kryeqyteteve evropiane” dhe e ka bërë të qartë se është i interesuar për kthim të atij vrasësi në Rusi.
Fakti që personat si Krasikov konsideron shembuj, do të thotë se shteti rus rrit secilën herë e më shumë presionin ndaj kundërshtarëve politikë, grupeve të shoqërisë civile dhe disidentëve, sidomos atyre – të njohur apo të panjohur për opinionin publik – të cilët kanë folur kundër luftës në Ukrainë.
Shumë rusë që janë burgosur në shtetin e tyre para këtij këmbimi, janë shpallur fajtorë nëpër procese gjyqësore që Perëndimi i ka konsideruar të motivuara politikisht, dhe të cilat janë lidhur me tradhti ndaj shtetit, apo përfshirje në aktivitete “ekstremiste”.
Të tjerë janë shpallur fajtorë për diskreditim të ushtrisë ruse, apo që kanë përhapur ato që Qeveria e Putinit i ka konsideruar informacione të rreme për luftën kundër Ukrainës.
Ndonëse në publik Putini nuk ka treguar interes për të diskutuar për këto raste – madje në disa raste as nuk ua ka përmendur emrin, saç është shembulli i Aleksei Navalnyt, kritikut të Kremlinit që ka vdekur në rrethana të dyshimta në burgun në Arktik – ai e ka përsëritur vazhdimisht që secili që thyen ligjin, duhet të ndëshkohet.
Ndërkohë, vdekja e Navalnyt – për çka e veja e tij, dhe shumë të tjerë, e kanë fajësuar Putinin – i ka mundësuar Rusisë të kryejë këmbim të të burgosurve pa e liruar një kritik, të cilin Moska mund të mos e kishte dashur të lirë as jashtë shtetit.
Aleatët e Navalnyt kanë thënë më parë se në një marrëveshje për këmbim të të burgosurve ka qenë i përfshirë lirimi i të ndjerit në njërën anë, me lirimin e Krasikovit, në anën tjetër.
Presioni i nëntorit
Këmbimi i të burgosurve vjen pas shumë negociatave amerikano-ruse për këtë çështje dhe vetëm tre muaj para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili ka përsëritur disa herë se synon lirimin e amerikanëve që mbahen në tokën ruse dhe vende tjera, për akuza që Uashingtoni i ka cilësuar gjithmonë të pabazuara, është tërhequr prej garës për një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Kushdo që fiton zgjedhjet amerikane të 5 nëntorit, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, apo nënpresidentja, Kamala Harris, lirimi i amerikanëve të mbajtur në Rusi, e pastron situatën në njëfarë mase, para se të kuptohet se kush fiton mandatin e radhës.
Thënë thjeshtë, është hequr qafe një faktor i madh irritues në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Putin, i cili duket se është krejtësisht i fokusuar në luftën në Ukrainë, mund të shfrytëzojë këmbimin e të burgosurve për të minuar mbështetjen amerikane për luftën në Ukrainë, sidomos në Kongres, apo të kërkojë koncensione për sanksionet e vëna nga Perëndimi, për shkak të luftës.
Kremlini mund ta shohë “si mundësi për të tentuar që të izolojë Ukrainën”, ka thënë Sam Greene, profesor në Kolegjin King të Londrës.
“Duke bërë këtë këmbim, Moska synon të demonstrojë se mund të negociojë me qëllime të mira, dhe ka gatishmëri të bëjë marrëveshje me Perëndimin”.
“Kjo do të forcojë zërin e atyre që u bëjnë thirrje Qeverive perëndimore për armëpushim në Kiev, dhe do të dobësojë zërat e atyre që e shohin armëpushimin si faktor të dëmshëm për sigurinë ukrainase dhe evropiane në periudhë afatmesme dhe afatgjatë”, ka shkruar Greene në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
“Rritja e dilemave në Perëndim rreth të mirave që vijnë prej mbështetjes ndaj Ukrainës, mund të konsiderohet fitore e mjaftueshme për Putinin – dhe ky është rrezik që merr Kremlini”.
“Nëse nuk funksionon dhe mbështetja vazhdon, çfarë mbetet në tavolinë? Sinqerisht, vetëm përshkallëzimi”.
Ndonëse publikisht e thotë të kundërtën, shumë analistë besojnë që Putin do të preferonte fitoren e Trumpit në zgjedhje, dhe madje ka pasur spekulime se Kremlini mund t’ia mohonte suksesin Bidenit në lirim të amerikanëve, dhe që të pajtohej për këmbim vetëm nëse Trumpi do të fitonte, me qëllim të hapjes së rrugës për kompromise në çështjen e Ukrainës.
Mirëpo, duke pasur parasysh paqartësitë deri në ditën e rezultateve të zgjedhjeve, Kremlini mund të ketë vlerësuar që më së miri është nëse vepron tani.
Në anën tjetër, koha e këmbimit mund të ketë pak të bëjë me ciklin e zgjedhjeve amerikane, dhe mund të lidhet me shumë me atë se kur është arritur një pajtueshmëri, apo edhe sa ka pasur Putin gatishmëri që të kthejë Krasikovin në Rusi.
Pavarësisht lirimit të një numri të konsiderueshëm të të burgosurve, në burgjet e Rusisë janë ende dhjetëra amerikanë – të cilit shihen si pengje prej Perëndimit.
Nëse tani në Perëndim do të nisin debatet se sa ka qenë gjë e mmençur që të lirohet një vrasës i dënuar, sikurse Krasikov, Putini nuk do të mund të ishte më i lumtur.
Pavarësisht të gjithave, ky këmbim i të burgosurve e ka vendosur Rusinë në një vend për të cilin Putin ka një çerek shekulli që është i etur: të jetë në tavolinë, si palë, me Shtetet e Bashkuara./REL
Fraksion.com