AktualitetBota+Të fundit

Richard Wagner: Miti dhe njeriu

Me festivalin e tij në Bayreuth Richard Wagner konsolidoi mitin e vet. Po kush ishte ai në të vërtetë? Muzeu Richard Wagner në Bayreuth tregon objekte të rralla, që japin informacione mbi jetën e kompozitorit

Ideja e artit total, ku muzika, teksti, drama, skena dhe arkitektura formojnë një tërësi, e bëri të famshëm Richard Wagnerin dhe operat e tij. Çdo vit 60.000 adhurues të Wagnerit frekuentojnë festivalin në Bayreuth, sallën e të cilit kompozitori e hapi në vitin 1876. Një gjë ishte e qartë që në fillim; se ai drejtonte gjithçka. Deri më sot në festival lejohen të shfaqen vetëm operat e zgjedhura dhe të shkruara prej tij. Për ministren e Kulturës Claudia Roth kjo duhet të ndryshojë në të ardhmen. Ajo do të donte që të luheshin edhe kompozitorë të tjerë.

Gjermani Bayreuth 2024 | Bust i Richard-Wagner
Richard Wagner Fotografi: Dwi Anoraganingrum/Panama Pictures/IMAGO

Richard Wagner (1813-1883) punoi për mitin e vet që kur ishte gjallë, një “influencer”, vetëpromovues i kohës së tij. Wagner-it i pëlqente të prezantohej si një burrë i Rilindjes me veshje prej mëndafshi dhe kadifeje, me kapelën si të “Dürerit” dhe mjekrën e veçantë. “Ky është një maskim, një rol, në të cilin Wagner donte të perceptohej si maestro, dhe ia doli mjaft mirë”, thotë Sven Friedrich, drejtor i muzeut Richard Wagner në Bayreuth.

Miti dhe njeriu

Richard Wagner nuk ishte vetëm dirigjent dhe kompozitor, por edhe poet, dramaturg, shkrimtar, filozof i artit dhe regjisor. Pasardhësit e tij e stilizuan duke e bërë mbinjerëzor. Miti jeton deri sot. Përcaktuese është muzika, veçanërisht ajo e operave të tij, me lajtmotivet e përsëritura, që ishte diçka e re për kohën dhe i prekte thellë dëgjuesit. Si në të gjallë të Wagner-it, edhe sot miliona çifte në botë kurorëzohen me muzikën e tij “Treulich geführt” nga akti i tretë i operës Lohengrin – edhe pse opera përfundon në mënyrë tragjike.

Wagner si njeri është ambivalent. Në rini mori pjesë në të ashtuquajturin Revolucioni i Marsit i vitit 1848/49. Ai luftoi për lirinë dhe demokracinë dhe shfuqizimin e aristokracisë. Më vonë pranoi me gjithë qejf që të ndihmohej financiarisht nga qytetarët e pasur dhe aristokratët. Admiruesi i tij më i madh ishte Mbreti Ludwig II i Bavarisë. Pa ndihmën e tij financiare, nuk do të ishte ngritur shtëpia e Festivalit në Bayreuth.

Wagner njeri jo i këndshëm

Richard Wagner ishte një antisemit i bindur. Në mesin e shekullit të 19-të në Evropë pati një lëvizje të fortë antisemite. Wagner botoi në 1850 pamfletin e tij “Judaizmi në Muzikë”, në të cilin ai u mohon njerëzve të besimit hebre aftësinë për t’u shprehur në mënyrë kreative artistike. Një kredo e Wagnerit, që u shfrytëzua nga nazistët në fillim të shekullit të 20-të. Adolf Hitleri ishte një nga admiruesit më të mëdhenj të operave të Wagner-it në vitet 1930-të.

Richard Wagnerit i pëlqente të jetonte përtej mundësive të tij dhe të përfitonte nga njerëzit. Ai ishte vazhdimisht në vështirësi financiare dhe iku disa herë jashtë për t’u shpëtuar huadhënësve. Në situata të tilla kompozitori pranonte me kënaqësi ndihmën e shokëve hebrenj. Kompozitori hebre Giacomo Meyerbeer, shumë i respektuar në Paris, e ndihmoi atë në vështirësi financiare dhe e bëri të njohur në Paris. Wagner më vonë e injoroi mbështetësin e tij të dikurshëm.

Pllakata e ekspozites per Richard Wagner
Pllakata e ekspozites per Richard Wagner Fotografi: Richard-Wagner-Museum

Asgjë nga këto nuk e bën atë të pëlqyeshëm si njeri. Pianistes dhe kompozitores Clara Schumann nuk i pëlqente arroganca dhe e qeshura e tij qaramane. „Wagneri ishte fizikisht i vogël, dinak dhe egoman”, thotë Sven Friedrich. Dhe siç e përshkruan Thomas Mann: „me talentin e bombastik dhe karakterin e dobët”.

Wagner, krijesë e kohës së tij

Për Wagnerin si njeri mund të mësohet në ekspozitën Mensch Wagner (Njeriu Wagner), ku paraqiten eksponate nga dëshmitë personale, kujtimet e anëtarëve të familjes dhe bashkëkohësve. Gruaja e dytë e Wagner-it, Cosima Wagner, ka shkruar në ditarë për jetën e tyre, për preferencat e Wagner-it, por edhe për frikërat e tij, të cilat shpesh i shfaqeshin në ëndrra. Ai pa në ëndërr edhe të urryerin Giacomo Meyerbeer, se si Wagner i kërkonte atij falje dhe publiku duartrokiste pajtimin.

Për herë të parë ekspozohen dokumente mbi financat e Richard Wagnerit, apo një libër me receta mjekësore dhe kulinare. Organizatorët e ekspozitës nuk duan ta paraqesin Wagnerin si një vizionar vetëpromovues, por më tepër si një fëmijë të kohës, në kontekstin e rrethanave jetësore. “Për këtë arsye ne tregojmë edhe objekte njerëzore, që bëjnë të qartë se Wagner kishte edhe një jetë të përditshme. Sepse miti nuk njeh jetë të përditshme”, thotë Sven Friedrich.

Ndër eksponatet e shfaqura rrallë, bëjnë pjesë edhe dokumentet për ndërtimin e shtëpisë Wahnfried në Bayreuth, ku kompozitori, që nuk duronte dot zhurmën, jetoi me familjen e tij nga viti 1874, larg qytetit të madh. Në ish shtëpinë e banimit “Vila Wahnfried” ndodhet sot muzeu Richard Wagner. Wagner e donte natyrën dhe demonizoi urbanizimin dhe përparimin industrial të shekullit të 19-të. Në të njëjtën kohë atij i pëlqente të përfitonte nga arritjet e reja, siç ishte hekurudha.

Udhëtimet dhe veprat e Wagnerit

Richard Wagner udhëtoi nëpër Evropë. Në Riga punoi si drejtues orkestre në teatrin gjerman të qytetit. Atje bëri operën e tij të hershme “Rienzi”, premiera e së cilës u dha në Dresden në 1842, me të cilën arriti të depërtojë si kompozitor operistik në Paris. Në Paris ai kompozoi overturën e Faustit dhe operën “Hollandezi fluturues”, muzikë e frymëzuar nga një udhëtim i stuhishëm në det. Holandezi Fluturues është në programin e Festivalit në Bayreuth këtë vit, sërish me dirigjenten ukrainase Oksana Lyniv.

Richard Wagner
Richard WagnerFotografi: akg-images/picture-alliance

Pas kryengritjes së marsit 1849, Richard Wagner u arratis në Cyrih, ku nisi me libretin për veprën e tij të madhe “Unaza e Nibelungëve” dhe njëkohësisht kompozoi operën “Tristani dhe Isolda”. Këtë vit „Unaza” do të shfaqet përsëri e gjitha në Bayreuth nën drejtimin e austriakit Valentin Schwarz. Tristani dhe Isolda, historia e dy të dashuruarve; që nuk lejohen të duan njëri-tjetrin, do të dëgjohet dhe shihet më 25 korrik në një inskenim të ri të dramaturgut islandez Thorleifur ërn Arnarsson.

Richard Wagner vdiq në Venecia në 1883. Në kopshtin e vilës së tij Wahnfried ai kishte ndërtuar një kriptë për vete. Wagner nuk la testament. Gruaja e tij Cosima drejtoi festivalin deri në vitin 1908. Katharina Wagner, stërmbesa e Wagnerit, është drejtore e Festivalit në Bayreuth që nga viti 2008.

Ekspozita “Mensch Wagner” do të zgjasë deri më 6 tetor në muzeun Richard Wagner në Bayreuth. Festivali në Bayreuth mbahet nga 24 korriku deri më 27 gusht./DW

 

Fraksion.com