AktualitetPolitikëTë fundit

“Ndryshime në urdhrin e mjekut”, Koçiu: Do ngrihet një regjistër publik për mjekët që punojnë edhe në privat

Këshilli i Ministrave miratoi sot një ndryshim në ligjin “Për urdhrin e mjekëve” në Republikën e Shqipërisë.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “në vazhdën e propozimeve dhe angazhimeve që qeveria mori ndërkohë që sigurojmë dhe garantojmë cilësinë e shërbimit në strukturat shëndetësore sot miratuam pas një konsultimi të gjerë dhe praktikave ndërkombëtare një ndryshim në ligjin “Për urdhrin e mjekëve””.

Koçiu tha se “qëllimi kryesor i ndryshimeve të propozuara në këtë ligj ka të bëjë me atë që është interesi primar i qytetarëve, garantimin e cilësisë së shërbimit në strukturat tona shëndetësore për të gjithë qytetarët, për të gjithë pacientët që i drejtohen strukturave publike shëndetësore”.

“Atë angazhim që ne morëm bashkarisht për të garantuar dhe siguruar një balancë mes interesit primar të qytetarëve dhe interesit të mjekëve dhe strukturave publike shëndetësore që është shmangia sa më shumë e mundur e konfliktit të interesit në rastin e çdo profesionisti të mjekësisë, i cili punon në strukturat shëndetësore publike”, nënvizoi Koçiu.

Ministrja Koçiu bëri me dije se “ndryshimet që kemi propozuar në ligj dhe që u miratuan sot me vendimin më të fundit të qeverisë në ligjin për “Urdhrin e Mjekëve” kryesisht konsistojnë në bërjen publike dhe transparente të informacionit për të gjithë profesionistët e shëndetësisë që punojnë në strukturat publike sa i përket angazhimeve të tyre edhe private”.

Ndërkohë, vijoi Koçiu, që një ndryshim tjetër i rëndësishëm është edhe miratimi i një regjistri elektronik publik,i cili do të garantojë akoma më shumë transparencë  për këdo profesionist të shëndetësisë që punon në strukturat publike shëndetësore lidhur me punësimin e tij edhe privatisht.

Ministrja Koçiu theksoi se “nga ana tjetër kemi vendosur edhe një tavan të orëve të punës, për të cilat një mjek që punon në sektorin public mund të angazhohet dhe të punojë privatisht”

“Ndërkohë që kemi bërë të qarta dhe procedurat për masat disiplinore dhe strukturat përkatëse të cilat do të rregullojnë veprimtarinë akoma më shumë të të gjithë profesionistëve të shëndetësisë që punojnë në sektorin publik.
Është e rëndësishme të theksojmë se të gjitha këto ndryshime vijnë dhe në vazhdën e reformës më të rëndësishme që është ajo e Autonomisë Spitalore, një reformë e cila ne besojmë fort që do të ndryshojë tërësisht mënyrën e shërbimit të ofrimit në kujdesin shëndetësor. Do të sjellë më pranë dhe më cilësisht shërbimin që strukturat publike shëndetësore ofrojnë për qytetarët dhe padiskutim që do të rrisin akoma më shumë dhe do të përmirësojnë mirëmenaxhimin e spitaleve dhe mirëmenaxhimin e profesionistëve të shëndetësisë”, tha ajo.

Fraksion.com