AktualitetBota+Të fundit

Gazetarja e REL-it, Alsu Kurmasheva, lirohet në këmbimin e të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit

Presidenti i Radios Evropa e Lirë tha se gazetarja Alsu Kurmasheva do të lirohet, teksa raportohet për një këmbim masiv të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit.

Kurmasheva, gazetare e Radios Evropa e Lirë në Pragë, ishte dënuar nga një gjykatë ruse në korrik me gjashtë vjet e gjysmë burgim.

“Mirëpresim lajmin për lirimin e menjëhershëm dhe i jemi mirënjohës Qeverisë amerikane dhe të gjithë atyre që punuan pa ndalur për përfundimin e trajtimit të padrejtë të saj nga Rusia”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus.

“Alsuja u shënjestrua sepse është gazetare amerikane, e cila thjesht po tentonte të ndihmonte pjesëtarët e familjes së saj që janë brenda Rusisë. Ajo nuk bëri asgjë gabim dhe sigurisht nuk e meritoi trajtimin e padrejtë dhe ndarjen me forcë nga më të dashurit e saj dhe kolegët”, shtoi ai.

Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera më 1 gusht kanë nisur një këmbim masiv të të burgosurve, në atë që pritet të jetë këmbimi më i madh i këtij lloji që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

Bloomberg, Sky News, CNN, dhe media të tjera perëndimore, duke cituar burime, raportuan se këmbimi po ndodh më 1 gusht, pasi nuk dihej vendndodhja e disa të burgosurve politikë të profilit të lartë, që mbahen në Rusi, duke nxitur spekulime se ata po bëheshin gati për këmbim.

Ende nuk është e qartë se kush nga të burgosurit është përfshirë në këmbim.

Ky lajm u bë i ditur pasi nëntë aktivistë rusë dhe një shtetas amerikan janë zhvendosur papritur nga burgjet ruse ditët e fundit, si dhe rusë të tjerë të mbajtur në burgjet e SHBA-së janë zhdukur nga bazat e të dhënave të burgjeve, duke nxitur spekulimet se një këmbim i madh i të burgosurve që përfshin Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera evropiane, mund të jenë në zhvillim e sipër.

Asnjë zyrtar qeveritar në Uashington, Moskë apo gjetkë nuk ka komentuar mundësinë e një këmbimi; megjithatë, analistët më 1 gusht vunë në dukje shenjat që sugjeronin se atë që mund të jetë më i madhi i këtij lloji që nga Lufta e Ftohtë.

“Unë ende nuk kam asnjë koment për këtë temë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, më 1 gusht, kur u pyet nga gazetarët lidhur me këtë.

Avokatët mbrojtës të disa personave të profilit të lartë që mbahen në burgjet ruse kanë thënë se vendndodhja e klientëve të tyre ishte e panjohur, një situatë që shpesh lind kur të burgosurit zhvendosen. Në mesin e tyre janë aktivistë të opozitës, përfshirë Vladimir Kara-Murza dhe Ilya Yashin e të tjerë.

Olga Karlova, avokate e ish-marinsit amerikan, Paul Whelan, tha më 31 korrik se ajo nuk e di se ku është klienti i saj dhe se autoritetet në burgun në rajonin Mordovia ku ai ishte i burgosur, i kanë injoruar kërkesat për të konfirmuar nëse ai ndodhet në burg.

Whelan, i cili po vuan një dënim me burgim prej 16 vjetësh për spiunazh që ai dhe Uashingtoni e mohojnë, është një nga më se 10 shtetasit amerikanë që aktualisht mbahen nëpër burgjet ruse, të akuzuar ose të dënuar për akuza që variojnë nga posedimi i drogës dhe vjedhja e deri te tradhtia dhe spiunazhi.

Në shumë raste, akuzat kundër amerikanëve, të cilat përfshijnë reporterin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, dhe redaktoren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, janë etiketuar nga punëdhënësit e tyre ose nga Qeveria amerikane si të sajuara ose të motivuara politikisht.

Disa nga dënimet tejkalojnë atë që ekspertët ligjorë thonë se do të ishte normale.

Më herët gjatë 1 gushtit, presidenti i REL-it, Capus, tha se gazetaria nuk është krim duke shprehur shpresën që të liroheshin gjithë të burgosurit politikë dhe gazetarët që po mbaheshin padrejtësisht.

“Tre gazetarëve të tjerë të Radios Evropa e Lirë që po mbahen padrejtësisht pas hekurave – dy në Bjellorusi dhe një në Krimenë e kontrolluar nga Rusia – u themi se nuk jeni të harruar. Radio Evropa e Lirë do të bëjë gjithçka në fuqinë e saj për të siguruar lirimin tuaj dhe për t’ju ribashkuar me familjet tuaja”, shtoi ai.

Vetëm disa orë pasi u zbulua zhdukja e Whelanit, avokati mbrojtës i Kara-Murzait, një shtetas i dyfishtë ruso-britanik, tha se atij nuk iu lejua të hynte në burgun e Omskut për të parë klientin e tij, i cili vitin e kaluar u dënua me 25 vjet burgim për tradhti dhe akuza të tjera.

Më 1 gusht, një grup avokatësh rusë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut të njohur si Pervy Otdel postuan një mesazh në Telegram duke vënë në dukje gjurmën e fluturimit të një aeroplani Antonov që më parë ishte përfshirë në këmbime të tjera të burgosurish.

“Një aeroplan An-148, i cili dyshohet se ishte përdorur për këmbimin e mëparshëm të të burgosurve politikë, u ngrit nga Kaliningradi në Moskë më 1 gusht”, tha Pervy Otdel.

Avioni, me numrin RA-61727, u nis më pas për në Moskë, tha grupi, gjë që “mund të tregojë se këmbimi i të burgosurve politikë ka ndodhur në kufirin me Poloninë”.

Të dhënat nga faqja e gjurmimit të fluturimeve Flightradar24, konfirmuan lëvizjet e avionit, ndërsa media ruse, Agenstvo, raportoi se disa avionë specialë të Qeverisë ruse ditët e fundit kanë udhëtuar drejt dhe nga rajonet ku gjenden burgjet në të cilat mbahen disidentët.

Ndërkohë, katër rusë të akuzuar ose burgosur në Shtetet e Bashkuara janë zhdukur nga një bazë të dhënash e të burgosurve që operohet nga Byroja Federale e Burgjeve të SHBA.

Në mesin e këtyre katër të burgosurve është Vladislav Klyushin, një sipërmarrës TI i lidhur me Kremlinin që vuan një dënim shumëvjeçar për akuza për tregti të brendshme, dhe Aleksandr Vinnik, i cili kohët e fundit u deklarua fajtor për akuzat për pastrim parash dhe ka qenë i lirë në pritje të dënimit.

Këmbimi më i madh i të burgosurve që nga Lufta e Ftohtë ndodhi në vitin 2010 dhe përfshinte gjithsej 14 persona.

Në atë këmbim, Shtetet e Bashkuara liruan 10 rusë, përfshirë edhe Anna Chapman.

Sergei Skripal, një oficer i inteligjencës ushtarake ruse i dënuar për spiunazh për Britaninë, ishte në mesin e katër personave të liruar nga Moska./REL

 

Fraksion.com