AktualitetTë fundit

Masakra e Bradasheshit dhe vrasja e Klevis Kapllanit me breshëri plumbash: Dalin detaje të reja nga “Plumbi i Artë 2”

SPAK ka zbardhur 6 ngjarje kriminale pas hetimeve në vazhdim të dosjes “Plumbi i Artë”.

Mes vrasjeve të zbardhura është edhe masakra e Bradasheshit ku u vra Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk. Krimi në fjalë u regjistrua në dhjetor të 2018. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetari Igli Çelmeta.

KRIMI

Një sasi prej 50 kg kokainë që u zhduk në Britaninë e Madhe dyshohet të jetë motivi i vrasjes së trefishtë në Bradasheh, ku viktima mbetën Endrit Alibej alias Ravik Dylgjeri, Arben Dylgjeri dhe turku Erdal Durunay. Si autor i ngjarjes dyshohet Mikael Qosja i cili është shpallur në kërkim. Ai dyshohet se fshihet në Dubai. Pas masakrës që ndodhi fund dhjetorin e 2018 në Elbasan u regjistruan ngjarje të rënda kriminale. Në masakrën e Bradasheshit dyshohej të ishte përfshirë edhe Talo Çela i shumëkërkuar për megagrabitjen e Rinasit dhe vrasje. Ai u shoqërua asokohe nga policia dhe u mor në pyetje por nuk u gjetën prova që ta mbanin nën arrest.

Para hetuesve Talo Çela ka deklaruar se ka qenë në shtëpi natën e ngjarjes dhe ka dëgjuar vetëm të nesërmen, se çfarë kishte ndodhur. Ai ka sqaruar se kamerat e vendosura në banesën e tij në rrugën e vjetër për në Bradashesh nuk kanë qenë aktive ditën e ngjarjes. Edhe nëse do të ishin ato kanë fushëpamje vetëm për brenda oborrit dhe jo jashtë rruge.

Me viktimën Endrit Alibej, ai pranon se ka lidhje, për faktin se njeh Donin, dajën e tyre, i cili është me origjinë nga Peqini nga ku është dhe vetë me origjinë. Pas vrasjes së trefishtë u ekzekutua edhe Andi Zylyfi, djali i hallës së Endrit Alibej. Pas kësaj dyshohet se për t’u hakmarrë vëllai i Endrit Alibej, Erjoni tashmë i arrestuar ekzekutoi Emiljano Ramazanin, mikun e tij Regis Runaj që dyshoheshin si “ushtarë’ të grupit që urdhëroi masakrën si dhe vëllain e Talo Çelës. Endrit Alibej në momentin e vrasjes udhëtonte me një automjet në pronësi të një rumuni që nuk rezulton të ketë rekorde kriminale. Alibej ishte në ndjekje nga prokuroria e Krimeve të Rënda për drogë.

 

Fraksion.com