Çfarë përmban doktrina bërthamore e Rusisë
Presidenti Vladimir Putin thotë se Rusia mund ta modifikojë doktrinën e saj bërthamore lidhur me përdorimin e arsenalit atomik, një mesazh që duket qartë se drejtohet ndaj Perëndimit, në përpjekje për të parandaluar rritjen e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.
Ai paralajmëron se nëse Kievi godet brenda territorit rus me armë me rreze të gjatë veprimi të dërguara nga Perëndimi dhe nëse NATO-ja dërgon trupa në Ukrainë, kjo do të përbënte një përshkallëzim madhor dhe mund të sillte si rezultat një kundërpërgjigje të fuqishme.
Zoti Putin ka thënë se politika bërthamore e vendit nuk është e ngurtë dhe se ajo mund të ndryshohet në varësi të kushteve.
Që kur Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës në vitin 2022, presidenti Putin dhe figura të tjera të Kremlinit e kanë përdorur shpesh arsenalin bërthamor si instrument për të paralajmëruar Perëndimin.
Në ditën e parë të luftës, Putin tha se “kushdo që përpiqet të na frenojë, aq më tepër të paraqesë kërcënime për vendin dhe popullin tonë, duhet ta dijë se përgjigja ruse do të jetë e menjëhershme dhe me pasoja të pashembullta”.
Që kur filloi lufta, afro 2 vjet e gjysmë më parë, Perëndimi i ka dhënë Ukrainës armë të sofistikuara me vlerë miliarda dollarë, disa prej të cilave kanë goditur brenda territorit rus. Dhe megjithëse kërcënimet kanë qenë më të shumta nga Kremlini – i cili madje ka vendosur edhe armë bërthamore në Bjellorusi, pranë kufirit me Ukrainën – deri sot paralajmërimet ruse kanë mbetur të kufizuara tek retorika.
Por çfarë mund të shkaktojë një përgjigje bërthamore?
I pyetur për një gjë të tillë në qershor nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, zoti Putin përmendi të ashtuquajturën doktrinë bërthamore të Rusisë.
“Shikoni formulimin e saj. Nëse veprimet e dikujt kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial, ne shqyrtojmë mundësinë e përdorimit të të gjitha mjeteve që kemi në dispozicion”, tha zoti Putin.
Tani zërat më të ashpër të Moskës po i kërkojnë atij të ndryshojë doktrinën duke e ulur pragun për përdorimin e armëve bërthamore dhe presidenti rus thotë se dokumenti mund të modifikohet, në varësi të situatës globale.
Çfarë është doktrina bërthamore e Rusisë?
E njohur zyrtarisht si “Parimet themelore të politikës shtetërore për parandalimin bërthamor”, doktrina u nënshkrua nga zoti Putin në vitin 2020 dhe përcakton rastet kur Rusia mund të vërë në përdorim arsenalin e saj atomik, më i madhi në botë.
Sipas këtij dokumenti, armët bërthamore janë “një mjet parandalimi”, dhe përdorimi i tyre do të ishte një “masë e skajshme dhe e detyruar”. Në doktrinë thuhet se Rusia “ndërmerr të gjitha hapat e nevojshëm për të reduktuar kërcënimin bërthamor dhe për të parandaluar përkeqësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare deri në pikën e konflikteve ushtarake, përfshirë ato bërthamore”.
Dokumenti thekson se “parandalimi bërthamor ka për qëllim që t’i bëjë të qartë një kundërshtari të mundshëm se në rast të një agresioni kundër Federatës Ruse dhe/ose aleatëve të saj, kundërpërgjigjja është e pashmangshme”.
Në çfarë rastesh parashikohet përdorimi i armëve bërthamore?
Sipas doktrinës, Rusia mund t’i përdorë këto armë “si kundërpërgjigje ndaj përdorimit të armëve bërthamore dhe llojeve të tjera të armëve të shkatërrimit në masë kundër saj dhe/ose aleatëve të saj, si dhe në rast agresioni kundër Federatës Ruse me armë konvencionale, kur vetë ekzistenca e shtetit është në rrezik”.
Në dokument detajohen rastet konkrete të aktivizimit të këtyre armëve:
— Nëse ka informacion të besueshëm mbi lëshimin e raketave balistike që kanë në shënjestër territorin e Rusisë ose aleatëve të saj.
— Nëse armë bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë përdoren kundër Rusisë ose aleatëve të saj.
— Nëse një sulm me armë konvencionale kërcënon ekzistencën e Rusisë.
— Nëse ndërmerren sulme ndaj objekteve të rëndësishme të qeverisë ose ushtrisë ruse, që mund të minojnë aftësinë e vendit për një kundërpërgjigje bërthamore.
A ka pasur sulme që i janë afruar kufirit të përcaktuar për përdorimin e këtyre armëve?
Pasi Rusia sulmoi pjesë të Ukrainës verilindore pranë qytetit të Kharkivit, Uashingtoni lejoi Kievin të përdorë armë me rreze më të gjatë veprimi dërguar nga Shtetet e Bashkuara për sulme në rajonin kufitar brenda territorit rus. Por rrezja e veprimit e këtyre sulmeve ka qenë e kufizuar dhe nuk duket se ato paraqesin kërcënim ekzistencial sipas doktrinës bërthamore.
Megjithatë, zërat më të ashpër të Moskës kanë përmendur një sërë sulmesh ukrainase ndaj bazave ajrore ruse ku ka avionë luftarakë me aftësi bërthamore me rreze të gjatë veprimi, si edhe goditjet ndaj radarëve paralajmërues.
Ata thonë se këto raste justifikojnë përdorimin e armëve bërthamore, siç parashikohet në doktrinë.
Zyrtarët rusë nuk kanë komentuar mbi sulmet ndaj objektivave më të ndjeshme. Radarët për paralajmërim të hershëm kanë si objektiv të diktojnë lëshimin e mundshëm të raketave amerikane, në mënyrë që Rusia të mund të aktivizojë raketat e saj duke parandaluar kështu shkatërrimin e tyre.
James Acton, bashkëdrejtor i programit të politikës bërthamore në organizatën Carnegie, shprehej në një analizë së fundmi se sulmet ukrainase ndaj radarëve të paralajmërimit të hershëm mund të krijojnë përshtypjen tek Kremlini se Uashingtoni i ka inkurajuar këto sulme në përpjekje për të dobësuar sistemin parandalues bërthamor të Rusisë.
“Nëse Moska beson se Uashingtoni mund të kryejë një sulm të suksesshëm parandalues ndaj forcave të saj bërthamore, kjo e shton rrezikun që Rusia të ndërmarrë një sulm bërthamor në shkallë të gjerë bazuar në një alarm të rremë ose të keqinterpretuar,” thotë ai.
Çfarë ndryshimesh po merren nën shqyrtim?
Kërcënimet bërthamore të Kremlinit janë reduktuar kohët e fundit, ndërsa Moska ka shënuar përparim në fushën e betejës në Ukrainë. Megjithatë, ka pasur edhe thirrje në Rusi për ndryshimin e doktrinës bërthamore dhe zoti Putin ka thënë se ajo mund të modifikohet, në varësi të zhvillimeve globale.
Ka pasur zëra që kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për ta bërë atë më të ashpër, duke argumentuar se dokumenti aktual është shumë i butë dhe lë vend për interpretime. Ata thonë se doktrina nuk e ka frenuar Perëndimin të rrisë ndihmën për Ukrainën dhe krijon përshtypjen se Moska nuk do t’i përdorte kurrë armët bërthamore.
Dmitri Trenin, ekspert për marrëdhënie me jashtë në Institutin e Ekonomisë Botërore dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, një institut i financuar nga Kremlini, sugjeron rishikimin e doktrinës në mënyrë që ajo të parashikojë se Rusia mund të jetë e para që godet me armë bërthamore kur “interesat jetike kombëtare janë në rrezik”, si në rastin e Ukrainës.
“Detyra urgjente në vitin e tretë të konfrontimit ushtarak është të parandalohet angazhimi i mëtejshëm i NATO-s,” thotë ai.
“Nëse nuk e bëjmë këtë, përshkallëzimi i vazhdueshëm nga Perëndimi do të çojë në një përplasje të drejtpërdrejtë mes ushtrisë ruse dhe NATO-s, gjë që mbart rrezikun e një lufte bërthamore globale”.
Sergei Karaganov, një ekspert i politikës së jashtme që këshillon Kremlinin, i ka kërkuar gjithashtu Presidentit Putin të ndryshojë doktrinën, duke ulur pragun e përdorimit të armëve bërthamore.
“Shpresoj që të ndryshohet së shpejti në mënyrë që t’ju japë zyrtarisht të drejtën për t’iu përgjigjur çdo sulmi në territorin tonë me një sulm bërthamor,” iu drejtua ai udhëheqësit rus gjatë një forumi në Shën Petersburg.
“Shpresoj që një dispozitë e tillë t’i shtohet doktrinës sonë në mënyrë që kundërshtarët tanë të zmbrapsen”, vazhdoi ai.
Presidenti Putin tha se aktualisht nuk sheh kërcënime që do të justifikonin përdorimin e armëve bërthamore, por ai e la të hapur mundësinë për rishikimin e dokumentit.
“Kjo doktrinë është një instrument i adaptueshëm. Ne po ndjekim me kujdes se çfarë po ndodh në botën përreth nesh dhe nuk i përjashtojmë ndryshimet,” tha ai.
Nevoja për të modifikuar dokumentin, tha ai, është nxitur nga shqetësimet se Perëndimi po shqyrton mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore me kapacitet të ulët. Zoti Putin nuk dha detaje, por komentet e tij mund t’u referohen diskutimeve në Shtetet e Bashkuara për vendosjen e raketave bërthamore me kapacitet të ulët të lëshuara nga nëndetëset.
Përkrahësit e kësaj ideje thonë se armë të tilla nevojiten për t’u bërë ballë kërcënimeve ruse, ndërsa kritikët argumentojnë se do të rrisnin rrezikun e luftës.
“Ne jemi në dijeni të ideve që qarkullojnë në qarqet e ekspertëve në Perëndim se po zhvillohen pajisje bërthamore me fuqi jashtëzakonisht të ulët dhe se ato mund të përdoren. Në vetevete kjo nuk përbën diçka veçanërisht të tmerrshme”, tha zoti Putin. “Por është detyra jonë ta ndjekim me vëmendje një gjë të tillë dhe pikërisht këtë po bëjmë”./VOA
Fraksion.com