AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Mete: Shërbimi i pullave fiskale me tarifa më të ulëta, lehtësi për biznesin

Ministri i Financave, Ervin Mete deklaroi sot në Kuvend se shërbimi i pullave fiskale do të ofrohet nga shteti me tarifa më të ulëta se ato që aplikohen nga koncesionari, duke krijuar lehtësi për komunitetin e biznesit.

Gjatë diskutimit në seancë plenare të disa ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, ministri Mete sqaroi se në ligjin e akcizave ka qenë e parashikuar në disa nene koncesionari që ofron shërbimin e pullave fiskale.

“Duke qenë se ky koncesion përfundon në 31 dhjetor të këtij viti dhe do t’i kalojë shtetit, janë bërë ndryshimet e nevojshme që si koncesionari, si edhe procedurat që lidhen me të, të hiqen nga ky ligj dhe të theksohet që pullat fiskale janë tashmë monopol shtetëror dhe Këshilli i Ministrave do të përcaktojë një person juridik publik të autorizuar për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, si dhe elementët e sigurisë së tyre, e një sërë nenesh të tjera me të njëjtin qëllim”, informoi Mete.

Mete bëri të ditur se në dhjetor të vitit të kaluar pranë Ministrisë së Financave është ngritur një grup i gjerë pune, përfshirë edhe Avokaturën e Shtetit, për të menaxhuar procesin e daljes.

“Është përcaktuar një menaxher daljeje dhe një bord për menaxhimin e këtij procesi, i cili përfundon në 31 dhjetor të këtij viti. Nga analiza e akteve ligjore ka lindur e nevojshme të ndryshohet edhe ligji i akcizave për të hequr koncesionarin dhe procedurat e koncesionarit nga ligji. Do të jetë Shtypshkronja e Letrave me Vlerë personi juridik publik në pronësi të shtetit, i cili do të realizojë këtë shërbim në të ardhmen, që e ka pasur të drejtën ligjore për ofrimin e shërbimit përpara se të jepej me koncesion”, u shpreh Mete.

Sipas tij, “ky është një proces që kërkon vëmendje të dedikuar dhe proces të posaçëm në mënyrë që të realizohet në cilësinë e duhur, duke respektuar transferimin e nevojshëm të aseteve dhe të njohurive”.

“Synimi ynë është që në momentin që ky shërbim kalon në menaxhim shtetëror të ofrohen tarifa më të ulëta se ato që aplikohen nga koncesionari, çka besojmë do të jetë lehtësi për komunitetin e biznesit”, u shpreh ministri.

Në të njëjtën kohë, Mete informoi se në muajin gusht përfundon koncesioni i markimit te karburanteve dhe shërbimi kalon tek Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

“Në momentin që ky koncesion do të përfundojë, në kemi vendosur që edhe tarifa e aplikuar nga koncesionari të hiqet. Pra, nuk do të ketë vazhdim të aplikimit të tarifës së markimit tek qytetarët dhe bizneset. Kostot e vazhdimit të shërbimit do të përballohen nga buxheti i shtetit”, theksoi ai./m.m/

Fraksion.com