AktualitetPolitikëTë fundit

Tensionet në këshillin bashkiak të Tiranës, Meta: Zëri ynë do të jetë 10 herë më i fortë

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi sot pas tensioneve të ndodhura dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

“Ata goditen Tedi Blushin se duan t’i mbyllin gojën opozitarizimit edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës, pasi u kishin mbyllur gojën atyre që u morën votat opozitës në ato zgjedhje që u blen, u dhunuan. Por, ata nuk e kanë target Tedi Blusin për këtë arsye, që denoncon i pari. Duan të vrasin opozitarizmin dhe patriotizmin”, tha Meta.

“Zëri ynë do të jetë 10 herë më i fortë pas kësaj që ka ndodhur në Këshillin e Bashkisë së Tiranës”.

Meta sulmoi drejtuesin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn.

Meta tha se, “Erion Veliaj duhet të ishte në burg edhe vetëm për këtë shkresë që i ka dërguar Alqi Bllakos për çështjen e inceneratorëve. I ka futur qytetarët në borxh duke paguar për një incenerator fantazmë”.

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka sulmuar edhe kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanin.

“Ti nuk arreston dot Erion Veliajn. Je pjesë e dosjeve të MC Gongalit që është në burg”, u shpreh ai.

Anëtari i Këshillit Bashkiak me Partinë e Lirisë, Tedi Blushi tha se, në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak ishte planifikuar për gjakderdhje.

“Seanca e ditës së djeshme ishte e planifikuar për gjakderdhje, kryetari i bashkisë ka qenë me anti-plumb ka patur njerëz të armatosur dje në sallën e këshillit bashkiak, është menduar të bëhet atentat”, tha Blushi.

Fraksion.com