AktualitetBota+Të fundit

Kamala Harris siguron përkrahjen e delegatëve demokratë për t’u emëruar kandidate për presidente

Dy drejtuesit më të lartë të Partisë Demokrate në Kongres dhanë mbështetjen e tyre që Nënpresidentja Kamala Harris të emërohet kandidate për presidente.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer dhe drejtuesi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries i dhanë fund pikëpyetjeve nëse do t’i bashkoheshin demokratëve që po mbështesin zonjën Harris që të sigurojë emërimin e partisë për zgjedhjet e 5 nëntorit.

Zonja Harris po qëndron në një takim zgjedhor në Miluoki, në Viskonsin, pasi arriti të sigurojë përkrahjen e një numri të mjaftueshëm delegatësh demokratë për t’u emëruar kandidatja e Partisë Demokrate për presidente.

Takimi zgjedhor në Viskonsin do jetë i pari që prej së dielës, kur ajo nisi fushatën për zgjedhjet e nëntorit, pasi Presidenti Biden i dha asaj mbështetjen e tij. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Nënpresidentja Kamala Harris ka grumbulluar më shumë se 100 milionë dollarë që prej pasdites së të dielës.

 

Nënpresidentja Kamala Harris siguroi përkrahjen e një numri të mjaftueshëm delegatësh demokratë për t’u emëruar kandidatja e Partisë Demokratike për presidente kundër rivalit republikan Donald Trump.

Sipas njoftimeve, zonja Harris tani ka mbështetjen e 1,976 delegatëve që i duhen për të fituar që në raundin e parë të votimit brenda partisë së saj, duke konsoliduar pozitat si kandidatja më e mundshme demokrate për të zëvendësuar Presidentin Biden.

Në fjalimin e saj të parë si kandidate e pritshme, zonja Harris, një ish prokurore, premtoi se do ta bashkojë partinë dhe vendin dhe do ta sigurojë fitoren e demokratëve, duke bërë një dallim të thellë mes saj dhe zotit Trump.

Me vetëm 105 ditë deri në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe Partia Demokrate është në garë me kohën, që shpjegon edhe këtë bashkim të shpejtë rreth kandidates Kamala Harris si përpjekje e partisë për të tejkaluar zhvillimet dramatike që çuan në tërheqjen e Presidentit Biden, por edhe nevojës së votuesve demokratë për t’u mobilizuar.

Fushata e zonjës Harris grumbulloi brenda 24 orëve një shumë prej 81 milionë dollarësh, duke vendosur një rekord të ri. Delegacionet e demokratëve vazhduan të bashkërendohen dhe një numër i madh vullnetarësh u regjistruan për të ndihmuar fushatën e saj. Analistët e shohin këtë si një shenjë të entuziazmit për kandidaturën e saj.

Delegatët e partisë demokrate pritet të zhvillojnë një votim virtual para kuvendit të partisë më 19 gusht, që kandidati i partisë për president të përcaktohet që më parë dhe kuvendi të jetë një kuvend bashkimi.

Zonja Harris ndërkohë nuk po humbet kohë. Ajo mban tubimin e parë zgjedhor të martën në Uiskonsin, njërin nga shtetet e diskutueshme. Dje ajo u takua me ekipin elektoral që deri dje mbante emrin Biden-Harris, dhe në fjalimin e saj të parë shpalosi çështjet kryesore mbi të cilat do ta ndërtojë fushatën kundër zotit Trump, duke vendosur një theks të veçantë në dallimin ndërmjet saj, si ish prokurore dhe kandidatit republikan, të shpallur fajtor për vepra penale.

“Në ditët dhe në javët në vijim, së bashku me ju, do të bëj çdo gjë në fuqinë time për ta bashkuar Partinë Demokratike, për ta bashkuar kombin tonë dhe për t’i fituar këto zgjedhje. Siç e dini, para se të zgjidhesha nënpresidente, para se të zgjidhesha senatore e Shteteve të Bashkuara, isha zgjedhur prokurore e përgjithshme e Kalifornisë dhe para asaj kam punuar si prokurore. Në këto detyra, kam goditur autorë të të gjitha krimeve. Abuzues të grave. Mashtrues që vodhën konsumatorët dhe që shkelin rregullat për të përfituar vetë. Prandaj më besoni kur ju them që i njoh tipat si Donald Trumpi,” deklaroi ajo.

Zonja Harris i bëri këto komente nga selia e fushatës së Partisë Demokratike në Dellauer, ku ajo foli edhe për të drejtat riprodhuese, një nga çështjet kryesore në zgjedhjet e këtij viti.

“Në këtë fushatë, me krenari do ta krahasoj të kaluarën time me të kaluarën e tij. Ky ekip do të ndihmojë që në nëntor të zgjedhim shumicën e ligjvënësve të Kongresit amerikan, të cilët pajtohen se qeveria nuk duhet t’u tregojë grave se çfarë duhet të bëjnë me trupin e tyre. Pasi Kongresi të kalojë ligjin për të rikthyer liritë riprodhuese, si Presidente e Shteteve të Bashkuara do ta miratoj ligjin,” theksoi zonja Harris.

Ajo po ashtu tha se në këto zgjedhje presidenciale, votuesit amerikanë janë para një dileme me peshë të madhe.

“Në këto zgjedhje, secili prej nesh përballet me një pyetje. Në çfarë vendi duam të jetojmë? Në një shtet të lirë, me dhimbshuri dhe sundim të ligjit, apo në një shtet kaotik, ku mbizotëron frika dhe urrejtja?”, shtoi ajo.

Nëse emërohet kandidate demokrate për presidente dhe fiton ndaj kundërshtarit republikan Trump, ajo do të bëhej gruaja e parë presidente e Shteteve të Bashkuara.

Por sipas profesores së historisë nga Universiteti i Virxhinias, Barbara Perry, në këtë rrugëtim zonjën Harris e presin sfida.

“Në këtë vend, ajo do të përballet më shumë me sfida gjinore se sa me sfida rreth përkatësisë racore… Ne kemi patur vetëm presidentë meshkuj prandaj kemi vetëm modelin e burrit si president. Shpresoj që Shtetet e Bashkuara mund ta kapërcejnë këtë dukuri dhe ta zgjerojmë rrethin e njerëzve që janë kandidatë të përshtatshëm dhe që mund të fitojnë zgjedhjet presidenciale. Është pozitë shumë e rëndësishme, për të përjashtuar gjysmën e popullsisë,” thotë profesorja Perry.

Edhe si nënpresidente, por edhe si kandidate për këtë post në vitin 2020, zonja Harris ishte objekt sulmesh nga ana e republikanëve si e paaftë. Tani që ajo qëndron më mirë në anketa kundër zotit Trump se sa Presidenti Biden, sipas analistëve, pritet që ajo të vazhdojë të jetë në shënjestër të republikanëve.

Ajo është akuzuar se është ngritur në pozitë me favore dhe në bazë të kuotave gjinore e racore dhe jo në bazë të meritës — një kritikë jo e pazakontë kundër grave që mbajnë pozita të larta pushteti dhe po ashtu një prirje më e gjerë që synon të sulmojë në baza gjinore gratë e suksesshme.

I emëruari kandidat për nënpresident nga radhët e republikanëve, JD Vance tha se zonja Harris “do të jetë një milion herë më e keqe” se Presidenti Biden, të cilin ai e quajti presidentin më i keq në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Sulmet ndaj saj së fundmi janë përqendruar në portretizimin e zonjës Harris si përgjegjëse për situatën në kufirin me Meksikën dhe emigracionin e jashtëligjshëm, që është edhe njëra prej çështjeve kryesore në fushatën e zotit Trump./voa

Fraksion.com