AktualitetTë fundit

Hetimi për “21 janarin”, familjarët e Aleks Nikës në SPAK: Dhamë shpjegime e fakte të reja

Mark Nika dhe Rajmonda Nika, xhaxhai dhe bashkëshortja e Aleks Nikës i cili u vra në protestën e 21 janarit 2011, janë paraqitur sot në SPAK.

Pas tre orësh dëshmi, Rajmonda Nika tha për mediet pas daljes nga SPAK se: “Dhashë sqarime dhe disa fakte të reja”.

E pyetur mbi një audiopërgjim që ata pretendojnë se posedojnë, Rajmonda Nika tha se do e dorëzojnë në një moment tjetër.

Ndërkohë Mark Nika kërkon që hetohet nga SPAK se cilët ishin ata që dhanë urdhër për të hapur zjarr ndaj protestuesve.

“Të hetohet deri në fund çështja. Duhet të hetohet zinxhiri komandues që ka urdhëruar ose ka drejtuar ngjarjen e 21 janarit. Ne kemi dhënë përpara disa fakte të tjera në prokurorinë e Tiranës dhe ishte e panevojshme ti përsëritnim këtu. Jam i bindur se çështja do të shkojë deri në fund. SPAKP është jashtë politikës dhe jam i bindur se do të shkojë deri në fund. Kasetën e ka Arta Hoxha. Do t’ja japim SPAK-ut. Nuk dua të hy në hollësi, por ne duam që prokuroria të pyes dhe zbardh se kush dha urdhër për përdorimin e armëve. Hetimi duhet të shoh kush ka fshirë provat. Duhen gjetur urdhëruesit e atyre që hapën zjarrin, se ata që hapën zjarrin janë ushtarë. Ajo ishte vrasje në bashkëpunim”, tha Mark Nika.

SPAK regjistroi më 15 korrik procedimin penal për dosjen e njohur si “21 Janari” dhe po heton për tre vepra penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim.

Procedimi penal u regjistrua pasi Gjykata e Lartë, me kërkesë të familjarëve të Aleks Nikës, që të ishte SPAK që të hetonte këtë çështje.

Familjarët e Aleks Nikës kërkuan deri në Strasburg hapjen e hetimit dhe ishte Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut që u shpreh se hetimi duhet të ishte më i plotë.

SPAK pas regjistrimit të procedimit penal, ka vendosur të marrë në pyetje dy kallëzuesit, që kërkuan që hetimit të kryhet nga SPAK mbi provat dhe arsyet e kërkesës së tyre.

Fraksion.com