AktualitetTë fundit

Ndryshime për punonjësit e administratës, nga sot fleksibilitet në përzgjedhjen e orarit të punës. Zbardhet vendimi i qeverisë

Duke nisur nga sot, për Administratën Publike do të ketë ndryshime të orarit të punës. Vendimi në fjalë u mor dje nga qeveria, në kuadër të masave për shkak të motit me temperatura ekstreme. BalkanWeb publikon sot VKM me të gjitha pikat që tregon edhe fashat e orareve që do të duhet të respektojnë punonjësit e administratës.
Kujtojmë se dje Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin reagoi pas lajmeve se nga dita e mërkurë do të shkurtohet orari i punës për punonjësit e administratës publike, për shkak të të nxehtit afrikan.

Në fakt, sipas sqarimit, nuk kemi të bëjmë me reduktim të orarit, por ndryshimi lidhet me një VKM për rregullat e reja të kohëzgjatjes në punë, duke përfshirë konceptin e orarit ditor fleksibël për çdo punonjës të administratës publike. Projektvendimi propozon që brenda kohëzgjatjes ditore të punës, të punësuarit të kenë mundësinë të zgjedhin oraret kur do të kryejnë orët e plota të ditës së punës, duke caktuar një fashë orare kur të gjithë nëpunësit duhet të jenë në punë.

Kështu, propozimi në fjalë parashikon që punonjësi i administratës mund të zgjedhë një orar pune fleksibël duke respektuar gjatë katër ditëve të javës kohëzgjatjen prej 8 orë e 30 minuta nga e hëna e deri të enjten, ndërsa të premten orari i punës zbret në 6 orë. Fasha e detyrueshme orare kur të gjithë nëpunësit duhet të jenë në vendet e tyre të punës, të jetë çdo ditë nga ora 9:30 deri në 15:30, ndërsa ditën e premte nga ora 9:30 deri në 13:00.

Fraksion.com