AktualitetNATO/BETë fundit

Hungaria trondit Brukselin, përsëri…

Ka qenë e pritur prej fillimit që Presidenca gjashtëmujore hungareze në Këshillin Evropian do të ishte kontroverse.

Jo aq shumë për shkak të punëve legjislative në Bruksel, mirëpo për shkak të asaj me të cilën janë marrë politikanët hungarezë në ditët e fundit.

Pasi ka kaluar kohë në Kiev dhe është takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka vazhduar për një Susa (e njohur si Shusha për armenët) në Nagorno-Karabak, për të marrë pjesë në një samit joformal të Organizatës së Shteteve Turke.

Më pas, Orbani ka shkuar në Moskë për të diskutuar me presidentin rus, Vladimir Putin dhe prej aty është nisur për në Pekin, për të takuar presidentin kinez, Xi Jinping.

Ai e ka përfunduar udhëtimin e tij në Uashington, ku ka marrë pjesë në samitin e NATO-s.

Disa burime i kanë thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se në takimet me dyer të mbyllura, në kuadër të samitit, Orban ka mbajtur fjalime të ashpra kundër anëtarësimit potencial të Kievit në aleancën ushtarake.

Ky pozicion është në kundërshtim me komunikatën zyrtare të NATO-s, të publikuar edhe me miratim të Orbanit.

Shumë liderë kanë folur hapur kundër kryeministrit hungarez, çka ka shënuar pikën e vetme të nxehtë në samit.

Orbani e ka përfunduar vizitën në Shtetet e Bashkuara duke takuar kandidatin e republikanëve për president, Donald Trump, në shtëpinë e tij në Florida.

Prapavija e gjithë kësaj

Natyrisht, Orban është i lirë të shkojë dhe të takohet me kë të dojë. Ai, madje, i ka konsideruar udhëtimet e tij si përpjekje për “proces të paqes”.

Mirëpo, ajo që ka zemëruar Brukselin dhe shumë vende të Bashkimit Evropian është që Hungaria është në krye të Presidencës së BE-së, dhe kjo jep përshtypjen që ai është duke përfaqësuar BE-në në këto udhëtime, sidomos në Moskë dhe Susa.

Një tjetër shqetësim në Bruksel është që ajo që ka thënë Orbani në këto takime, sidomos në Rusi.

Pas udhëtimit, ai i ka nisur një letër presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili përbëhet prej krerëve të vendeve të BE-së.

Në këtë letër, në të cilën ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, është përmendur takimi i Orbanit me Putinin, i cili është i sanksionuar nga Bruksel, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar fletarrestim për të.

Kryeministri hungarez ka thënë se “nuk e ka bërë asnjë propozim dhe as nuk e ka artikuluar asnjë qëndrim në emër të Këshillit Evropian apo Bashkimit Evropian”.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se është koha për një armëpushim dhe për shtrim të rrugës për bisedime të paqes, si dhe ka shtuar që “lidershipi politik që ofrojnë Shtetet e Bashkuara është i kufizuar, për shkak të fushatës për zgjedhjet presidenciale atje”.

“Prandaj, ne nuk mund të presim ardhjen e një propozimi të tillë prej Shteteve të Bashkuara në muajt vijues. Ne duhet të shqyrtojmë mundësinë që të kemi vetë një iniciativë evropiane”.

Është interesante që Orbani, as nuk ka shtyrë përpara planin e përkrahur prej BE-së për paqe në Ukrainë, dhe as nuk i ka bërë thirrje Moskës t’i japë fund luftës në Ukrainë, e cila ka nisur më 2022.

Në vend të kësaj, ai ka thënë në letër se “po shohim rritjen e kapaciteteve të rrezikshme ushtarake dhe që ndikimi negativ i luftës në ekonomi po vështirëson përditshmërinë e qytetarëve tanë dhe konkurrencën brenda bllokut evropian”.

Orbani ka përmendur në letër edhe disa pika të bisedës që ka pasur me Putinin: që Moska ka plan të detajuar për arkitekturë të re të sigurisë evropiane pas luftës, që presidenti rus vlerëson se Kievi humb 40.000-50.000 ushtarë çdo muaj, dhe që koha është në anën e Rusisë, sa i përket luftës”.

Çfarë do të thotë e gjithë kjo?

Dilemat qëndrojnë te ajo se si duhet të reagojë BE-ja ndaj gjithë kësaj situate.

Pas një kërkese të Polonisë, ambasadorët e vendeve të BE-së kanë diskutuar më 10 korrik për udhëtimet e Orbanit.

Në ato diskutime, 25 vendet anëtare, përveç Sllovakisë fqinje, e kanë kritikuar qasjen e Hungarisë. Dega ligjore e Këshillit të BE-së e ka bërë një vlerësim të qartë që Presidenca me rotacion e BE-së nuk ka rol në përfaqësim të jashtëm të bllokut evropian.

Kjo degë ka thënë, po ashtu, se të gjitha vendet anëtare të BE-së, përfshirë Hungarinë, janë pajtuar në një samit të mbajtur më 2022, që të përmbahen nga kontakti me udhëheqësinë ruse.

Para se Hungaria të merrte kryesimin e Presidencës së BE-së, shumë zyrtarë evropianë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se diplomatët janë duke analizuar mundësitë ligjore që të shmangin ngjitjen e Hungarisë në krye të Presidencës.

Ndonëse diçka e tillë nuk është diskutuar në takimin e mbajtur në nivel të ambasadorëve në Bruksel, burimet e REL-it tregojnë se aspekti ligjor është ende duke u studiuar.

Në fakt, krejt çfarë duhet që Hungaria të largohet prej kryesimit është një shumicë e kualifikuar e vendeve anëtare (55 për qind e anëtarëve të bllokut evropian që përbëjnë 65 për qind të popullsisë së BE-së) që ta përkrahin nismën.

Një hap i tillë drastik nuk duket shpejt në horizont, mirëpo zemërimi ndaj Budapestit sa shkon e rritet, dhe një hap i tillë nuk mund të përjashtohet.

Disa hapa simbolikë kundër Budapestit veçse janë marrë. Shembull, të gjithë komisionarët e Bashkimit Evropian, në kushte normale do të zhvillonin një udhëtim në Hungari për të takuar Qeverinë e shtetit që kryeson BE-në.

Ky udhëtim ishte planifikuar të mbahej në korrik dhe më pas është shtyrë deri në shtator. Mirëpo, më 15 korrik, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se ai udhëtim nuk do të ndodhë fare dhe që takimet në Hungari gjatë kryesimit të Budapestit do të mbahen vetëm në nivel të shërbyesve civilë dhe jo komisionarëve.

Një tjetër masë është bojkotimi i ngjarjeve që do të mbahen në Hungari në gjashtë muajt e ardhshëm.

Secila Presidencë e ka një numër të takimeve joformale ministrore, nëpër të cilat ministrat relevantë të vendeve anëtare, në këtë rast do të duhej të shkonin në Budapest, për të diskutuar çështje të ndryshme.

Një takim i tillë është ai i Këshillit joformal të Konkurrencës, tubim ministrash që janë përgjegjës për çështje të lidhura me konkurrencën në vendet anëtare të BE-së, i cili është mbajtur më 8-9 korrik.

Në situatën normale, të gjithë ministrat e Ekonomisë do të duhej të merrnin pjesë, mirëpo vetëm pesë kanë qenë prezentë, përfshirë nikoqirin hungarez.

Vendet tjera të BE-së janë përfaqësuar prej zëvendësve apo zyrtarëve të rangut më të ulët.

Prej asaj dite, Estonia, Finlanda, Letonia, Lituania, Polonia dhe Suedia, kanë bërë të ditur se nuk do të dërgojnë ministrat nëpër takimet joformale në Hungari në vjeshtën e këtij viti, dhe mbetet të shihet nëse edhe vende tjera do të veprojnë njëjtë.

Është e mundur që një takim joformal i Këshillit të BE-së për Punë të Jashtme, që ishte planifikuar të mbahej në fund të gushtit në Budapest, të bartet në Bruksel.

Një vendim përfundimtar në këtë drejtim pritet të merret kur ministrat e Jashtëm të BE-së të mblidhen në Bruksel më 22 korrik./REL

 

Fraksion.com