AktualitetPolitikëTë fundit

Spiropali: Nuk mund ta kthejmë Kuvendin në hapësirë shantazhi

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali komentoi sot vendimin e Konferencës së Kryetarëve, e cila rrëzoi kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me gjetjet e OLAF-it dhe masat që duhet të marrë Kuvendi i Shqipërisë që të sigurohen mekanizmat e nevojshëm, që mbrojnë interesat financiare të BE-së nga aktivitetet ilegale dhe që sjellin përfitimin e fondeve nga programi IPARD nga fermerët shqiptarë.

Spiropali theksoi se, “kjo qeveri dhe kjo shumicë parlamentare janë të gatshëm për debat në çdo kohë, për të gjitha çështjet me ndjeshmëri apo interes publik”.

“Mocionet me debat zhvillohen mbi raporte dhe konkluzione përfundimtare, jo mbi aludime dhe akuza politike, me qëllim final gjyqin popullor”, shkroi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.

“Nuk mund ta kthejmë Kuvendin në hapësirë shantazhi, denigrimi dhe bullizimi ndaj institucioneve. Sa më shpejt ta kuptojë opozita rolin e saj, aq më mirë është për të, por edhe për Kuvendin”, nënvizoi Spiropali.

Fraksiin.com