AktualitetBota+Të fundit

Kuvendi Republikan, paraqitja e parë publike e ish-presidentit Trump pas atentantit ndaj tij

Ish-presidenti Donald Trump bëri një rikthim të fuqishëm në sytë e publikut, në ditën e parë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Republikane të hënën vonë, dy ditë pasi u plagos në një atentat gjatë një tubimi elektoral në Pensilvani. Kuvendin e Partisë Republikane e ndoqi korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti, e cila solli këtë material nga qyteti Miluoki në Viskonsin.

Ishte paraqitja e parë publike e ish-presidentit Trump që nga atentanti ndaj tij. Ai nuk pati nevojë të mbajë një fjalim për të nxitur brohoritjet e delegatëve në mbështetje të tij.

Pranë tij qëndronte senatori i Ohajos, J.D. Vance, të cilin zoti Trump e zgjodhi si numrin dy në garën presidenciale, një nga sekretet më të mëdha politike të këtij viti që u zbulua në ditën e parë të Kuvendit Republikan.

Senatori Vance, 39 vjeçar, sjell brezin e ri në zgjedhjet presidenciale. I njohur për autobiografinë mbi jetën e vështirë që kishte në një zonë të thellë të Amerikës, “Hillbilly Elegy”, ai është një ish-marins dhe një konservator që dikur e quante zotin Trump “Hitleri i Amerikës”.

Presidenti Biden e quajti zotin Vance një “klon” të zotit Trump.

Njoftimi erdhi në ditën e parë të Kuvendit Kombëtar Republikan, para 2 mijë e 400 delegatëve shtetëror që premtuan votat e tyre për zotin Trump, i cili edhe mori emërimin zyrtar të partisë.

Jo shumë larg vendit ku po zhvillohej kuvendi, po mbaheshin protesta kundër politikave republikane dhe zotit Trump.

“Mendova se ishte me rëndësi t’u kujtoja njerëzve se kemi dy kandidatë dhe njëri prej tyre akuzohet për 34 vepra penale”, thotë John Miller, banor i Miluokit.

Por përzgjedhja e nënpresidentit dhe rikthimi pas atentatit fuqizoi mbështetjen për zotin Trump.

“Nuk po diskutohet për të kaluarë. Po diskutohet për të ardhmen,mënyra se si ecim përpara si vend dhe çështjet që ndikojnë tek populli amerikan”, thotë ligjvënësi republikan nga Nju Jorku Michael Lawler.

Sot zhvillohet dita e dytë e Kuvendit Republikan, ndërsa punimet e tij mbyllen të enjten kur edhe pritet të mbajë një fjalim kandidati republikan Donald Trump./VOA

 

Fraksion.com