AktualitetBota+Të fundit

Dorëhiqet qeveria franceze

Kryeministri francez Gabriel Attal dhe i gjithë kabineti i tij qeveritar dhanë dorëheqjen këtë të martë, por ata do të qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e një kabineti të ri pas zgjedhjeve të parakohshme.

Presidenti francez Emmanuel Macron pranoi dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Gabriel Attal pas humbjes së partisë së tyre të qendrës në zgjedhjet parlamentare.

Megjithatë kjo qeveri e përkohshme do të drejtojë çështjet aktuale në ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës, por nuk mund të paraqesë ligje të reja në Parlament apo të bëjë ndonjë ndryshim të madh, thonë ekspertët.

Roli i saj në këtë periudhë do të përfshijë edhe sigurimin e mbarëvajtjes së Lojërave Olimpike, që fillojnë më 26 Korrik.

Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, Attal i tha presidentit Macron se ai do të qëndronte në detyrën “deri në minutën e fundit” dhe “për aq kohë sa ai e gjykonte të nevojshme, në prag të ngjarjeve të mëdha për vendin”.

Aleanca e krahut të majtë që fitoi zgjedhjet e 7 Korrikut nuk ka arritur deri më tani dakordësinë për një kandidat të mundshëm për ta zëvendësuar kryeministrin Attal.

Në një deklaratë, pallati Élysée tha se Presidenti Macron u kishte bërë thirrje “forcave republikane të punojnë së bashku” për të formuar një qeveri të re.

Fraksion.com