Nga “krimi intelektual” te akuzat për “burgosjen politike” të Berishës, opozita ‘kryqëzon’ Dumanin në Kuvend. E mbron Majko
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani u përball sot për rreth 4 orë me akuza, kritika dhe ironi të shumta nga deputetët demokratë, teksa ndodhej në Parlament për të prezantuar raportin vjetor të punës së institucionit që drejton, për vitin 2023.
Tritan Shehu, Flamur Noka, Elda Hoti, Edi Paloka dhe Albana Vokshi nuk i ndalën akuzat ndaj kreut të SPAK-ut të cilin e shohin si autorin e burgosjes së ish-kryeministrit Sali Berisha.
Përballë sulmit frontal nga opozita, maxhoranca nga ana e saj duket se e “braktisi” kreun e SPAK, duke lënë çdo që atij t’i drejtohej çdo pyetje e mundshme, përfshi edhe komentet për punën në drejtim të institucionit që drejton. Drejtuesja e seancës, Ermonela Felaj megjithëse iu kujtoi disa herë deputetëve të opozitës që të përqëndroheshin te pyetjet, nuk ua ndërpreu asnjëherë fjalën kur ata çdo pyetje e shoqëronin me komente në drejtim të kryeprokurorit të SPAK-ut.
I vetmi zë nga shumica parlamentare që për një moment i doli në krah Altin Dumanit, ishte ish-kryeministri Pandeli Majko që i kërkoi opozitës të mos e trajtonte atë si vartësin e tij.
Në 4 orë seancë me pyetje-përgjigje, një fjali e Dumanit që e quajti foli për foli për krimin intelektual, atë të bërë nga punonjësit e administratës, duket se shërbeu nga opozita për t’u kapur pas fjalëve dhe për të bërë ironi me kreun e SPAK-ut. “Është një krim intelektual dhe intelektuali para se të kryejë krimin, mundohet ta fshehë. Për çështjen konkrete, çështja është nën hetim paraprak”, tha Dumani dhe kjo i shërbeu Edi Palokës për ta ironizuar.
Pjesë nga debati:
Tritan Shehu: Përse Berisha mbahet i izoluar? Përse po shkelet Kushtetuta, a nuk mendoni se cenoni cilësinë e Kuvendit? Kur një prokuror shkel ligjet del se me urdhër kujt bëhet? Me urdhër të kujt u bë? Të kryeministrit, të dikujt tjetër? Kush fshihet pas kësaj loje? Po shkelni parimet me të katër këmbët, a nuk gjykoni se bëheni pjesë e politikës, duke e kthyer Berishën në një të burgosur politik?
Altin Dumani: Lidhur me rastin e parë edhe kjo çështje është në fazën e hetimit paraprak. Ju pretendohet dhe parashkruar në këtë seancë se nuk ka shkaqe apo kushte për caktim mase sigurimi. Referojuni vendimit të gjykatës. Ju thoni se nuk ka akuzë por, vendimi i gjykatës e ka bërë të qartë veprën penale. Lëshuat akuza të rënda në drejtimin tim.
Elda Hoti: Z.Dumani për ta përmbyllur,përse SPAK nuk kryen asnjë veprim hetimor për Titullarin e Bashkisë Tiranë, i cili ka ideuar, firmosur vjedhjen 5D? Jemi korrekt të themi që ju skeni leje nga Edi Rama për të prekur kolegun tuaj Erion Velia? A mendon SPAK se, si Kryeministri Rama, që nuk ka aftësinë për të kontrolluar, babëzinë dhe oreksin e hajdutëve që kishte e ka në staf, edhe Erion Veliaj ka të njëjtën të metë, mungesë aftësie për të kontrolluar hajdutët? Pra e thënë me pak fjale SPAK konkludon në hetimet e saja se, si Edi Rama ashtu dhe Erion Veliaj janë viktima të njerzve që i rrethojnë?
Altin Dumani: Jam drejtues i prokurorisë së posaçme dhe drejtoj një institucion të pavarur që meriton respekt për punën që bën. Kritikat janë të mirëpritura por që të hedhësh akuza dhe të fyesh prokurorë të cilët janë angazhuar me mish e me shpirt në hetimin e çështjeve kjo është e papranueshme.
Vokshi: Cili është statusi i hetimit për katër koncesionet në Shëndetësi?
Dumani: Një dihet që është për gjykim, një tjetër është në hetim. Për informacionet drejtohu institucionit.
Vokshi: Se këta person që i konsideroni të përfshirë në veprimtaritë kriminale vazhdojnë ende? Kush i ka penguar hetimet? Kush i mbron drejtuesit e inkriminuar?
Dumani: Bashkëpunimi është shumë i mirë, problematika që ne kemi evidentuar e kam adresuar publikisht pjesë të raportit, edhe në Komisionin e Ligjeve. Është problematikë që duhet adresuar dhe po marrim masa për ta zgjidhur. Solla një shifër të punonjësve që janë proceduar në 3 vite, është një numër i lartë dhe po punojmë për zgjidhjen me policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme.
Vokshi: A keni konstatuar në dosjet e partnerëve, se në bisedat e Encrochat përfshihen ministra, deputetë, zyrtarë të drejtësisë.
Dumani: Është çështje në hetim dhe nuk mund të them asgjë. SPAK duhet të jetë krenar për bashkëpunimit me agjencitë e europës, SHBA, Britanisë, kemi bashkëpunim dhe këto çështje bëhen në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtar.
Korreshi: Nga SPAK është mbajtur dy standarde. Për zotin Ahmetaj janë dërguar një dokumentacion në Këshillin e Mandateve dhe më pas është hequr imuniteti. Gjatë seancës me dyer të mbyllura kemi kërkuar të merrej masa, pasi zoti Ahmetaj po çante ferrën. Për Berishën nuk u mbajt ky standard.
Si ka mundësi në rastin e fundit të urdhërndalimeve për inceneratorët, asnjë nuk është arrestuar por kanë çarë ferrat, janë larguar nga Shqipëria?
Dumani: Të dyja janë çështje në hetim paraprak, dhe nuk flas dot. Dhe për çështjen e tyre, është hetim paraprak. Është hetim kompleks dhe përfshin disa struktura. Nuk mund të ndaj asgjë më tepër. Kur të kemi një konkluzion të saktë, do të dalim për një njoftim për mediat.
Fraksion.com