AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Qeveri teknike! Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtim i Shqipërisë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij online në protestën e mbrëmjes së sotme, u shpreh se, “demokratët e mbledhur janë misionarë të vërtetës të shpresës dhe të ardhmes së Shqipërisë”.

Berisha tha se, “plot dhimbje e sakrifica të pamerituara kanë qenë për opozitën dhe Shqipërinë 11 vitet e fundit të Rilindjes së Edi Ramës”.

“Spastrimi etnik i butë i Shqipërisë po ndodh, sepse Edi Rama vendosi në Shqipëri kushtet e llogaritshme për dëbimin e butë, masiv të shqiptarëve nga vendi i tyre”, tha ndër të tjera Berisha.

Berisha tha më tej se, “sot në Shqipëri, si në Rusinë e Putinit, ndiqen dhe persekutohen nga prokurorët politikë, drejtuesit e forcave kryesore opozitare”.

“Drejtësia e re është bërë për të zbatuar urdhrat e Edi Ramës, për procese politike dhe për të prodhuar statistika kallp për mashtrimin e shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sepse drejtësia e re është bërë për t’u nxirë jetën shqiptarëve duke pritur për një vendim gjyqësor 15 vite. Se ajo është bërë për t’u mohuar drejtësinë shqiptarëve dhe ky është një krim i shëmtuar”, tha Berisha.

Berisha u shpreh më tej se, “nëse çmimi për të mbrojtur shqiptarët qenka një “non-grata” dhe një arrest pa prova, do ta bëja prapë edhe 1000 herë të tjera”.

“Me damkën më të zezë, sot Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, me liderin e opozitës të arrestuar politik pa asnjë fakt, provë apo dokument. Kjo, sepse Sali Berisha denoncoi i pari narkoshtetin, shumë e shumë vite përpara se ta denonconin të tjerët. Sepse Sali Berisha kundërshtoi dhe luftoi në 2018, kundër ndryshimit të kufijëve të Kosovës, copëtimit të saj dhe projektit ruso-serb të Ballkanit të Hapur. Kjo sepse Sali Berisha nuk pranoi bashkëqeverisjen me PS, të vendosur me marrëveshjen Rama-Basha. Kjo sepse Sali Berisha denoncoi kapjen e plotë të drejtësisë nga Edi Rama, drejtësinë e munguar për shqiptarët”, shtoi kreu i PD.

Berisha ftoi qytetarët që të bashkohen për të lidhur besën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

“Kushtrimi im sot shkon për çdo demokrate e demokrat, për socialistët e zhgënjyer dhe qytetarët e paparti, për shqiptarët kudo që ndodhen. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtimi i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka. Bashkohuni me ne për të lidhur besën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë!”, u shpreh kreu i PD.

“Kushtrimi im sot është kushtrimi i flamurit kuqezi. Është kushtrimi i një kombi që po tretet dhe po grabitet në mënyrë të lemeritshme. Të bashkohemi për t’i thënë STOP me votën e lirë zbrazjes së Shqipërisë. Me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka”, tha Berisha.

“Qeveri teknike është betimi ynë! Kushtrimi im është thirrja për bashkim! Për çdo shqiptar. Nëse kërkoni shpresë, kujtohuni se shpresa jeni ju. Nëse kërkoni ndryshim, kujtohuni se ndryshimi jeni ju. Nëse doni që Shqipëria të shpëtojë, mos harroni që jeni shqiptarë. Mos harroni, jeni shqiptarët e trashëgimisë epike të Gjergj Kastriotit, të Adem Jasharit, të heroizmit të studentëve të ‘90”, theksoi Berisha.

“Prandaj tani, si një front i madh opozitar, le të përballemi ne me pushtuesin më armiqësor të shqiptarëve të shekullit 21. Prandaj shqiptarët do bashkohen në këtë luftë. Jo për Sali Berishën. Jo për Partinë Demokratike. Jo për politikë”, shtoi më tej Berisha.

“Në emër të Partisë Demokratike dhe frontit të gjerë opozitar, unë sot i jap këtë paralajmërim Edi Ramës: Prano qeverinë teknike, si kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të barabarta, dhe të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme. Qeveria teknike është zgjidhja më e thjeshtë për ty”, deklaroi Berisha.

Fraksion.com