AktualitetNATO/BETë fundit

Biden i premton Ukrainës sisteme të reja të mbrojtjes ajrore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Rusia nuk kërkon “asgjë më pak” se “ta fshijë Ukrainën nga harta”, por shprehu bindjen se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do t’ia dalë.

Ai njoftoi se SHBA-ja dhe aleatët e saj do t’i ofrojnë Ukrainës armë të tjera, duke përfshirë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.

“Ukraina mund dhe do ta ndalojë Putinin, sidomos me mbështetjen tonë të plotë kolektive. Ajo e ka mbështetjen tonë të plotë”, tha Biden në ditën e parë të Samitit vjetor të NATO-s, që mbahet në Uashington.

“Lufta do të përfundojë me Ukrainën si vend të lirë dhe të pavarur. Rusia nuk do të mbizotërojë”, shprehu bindjen ai.

Presidenti amerikan tha se SHBA-ja dhe partnerët synojnë t’i ofrojnë Ukrainës dhjetëra sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore në muajt e ardhshëm, si dhe qindra përgjues gjatë vitit të ardhshëm.

Në një deklaratë që lëshoi Shtëpia e Bardhë, sqarohet se SHBA-ja, Gjermania dhe Rumania do t’i dhurojnë bateri Patriot vendit në luftë, ndërsa Holanda dhe partnerët e tjerë do t’i ofrojnë komponentë Patriot për të mundësuar funksionimin e disa baterive shtesë. Italia do të dhurojë, po ashtu, një sistem shtesë SAMP-T.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se njoftime të mëtejshme për ndihmat për Ukrainën do të bëhen gjatë samitit.

Fjalimi i Bidenit u ndoq nga afër jo vetëm për komentet e tij në lidhje me mbështetjen e NATO-s për Ukrainën, por edhe për

performancën e tij të përgjithshme.

Kohëve të fundit, disa demokratë i kanë bërë thirrje të tërhiqet nga gara për rizgjedhje në nëntor, për shkak të paraqitjes së tij të dobët në debatin me kundërkandidatin republikan, Donald Trump, në fund të qershorit.

Në atë debat, Biden ka belbëzuar gjatë gjithë kohës dhe nuk ka arritur t’i sfidojë sulmet e Trumpit, të cilat, në shumë raste, kanë përfshirë edhe pretendime të rreme.

Megjithatë, gjatë fjalimit në samitin e NATO-s, Biden nuk u duk se bëri ndonjë gabim./REL

 

Fraksuon.com