Zjarri në Llogora, Mbrojtja Civile thirrje qytetarëve: Shmangni kalimin
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen në qafën e Llogorasë, për shkak të situatës së krijuar nga zjarri që ka rënë pasditen e të enjtes.
Në një postim në rrjetet sociale, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile thekson se “forcat zjarrfikëse dhe të emergjencave janë duke punuar për të vënë në kontroll situatën”
“Për shkak të situatës së krijuar nga zjarri i rënë në qafën e Llogorasë, në një sipërfaqe me shkurre e barishte dhe që ka shkaktuar tym, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të shmangin kalimin në këtë rrugë. Forcat zjarrfikëse dhe të emergjencave janë duke punuar për të vënë në kontroll situatën.
U bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të ndjekin udhëzimet e Policisë së Shtetit dhe emergjencave civile për lëvizjen e tyre, në mënyrë që të lejohen mjetet dhe efektivët të punojnë për shuarjen e zjarrit”, përfundon postimi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Fraksion.com