Takimi tripalësh në Bruksel – pa rezultate konkrete
Pa ndonjë rezultat konkret, pas bisedave rreth shtatë orëshe, përfunduan takimet të martën (02.07.2024) vonë ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ky i fundit fillimisht priti kryenegociatorët ndarazi dhe më pas në një takim trepalësh në përpjekje për të gjetur zgjidhje rreth zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.
“Për rreth shtatë orë diskutuam një sërë çështjesh dhe u pajtuam për një numër të hapave të ardhshëm”, shkroi shkurt Lajçak në platformën X.
Bislimi: Serbia insiston vetëm në Asociacionin
Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi, tha pas takimit se “Serbia ishte e interesuar të bisedojë vetëm për zbatimin e një pjese të marrëveshjes, themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
“Për pjesët tjera ka thënë se mund të diskutojmë pasi të hidhen hapa për zbatimin e kësaj pike. Ndërkaq ne kemi pasur propozime konkrete për secilën pikë dhe kemi theksuar që është shumë e rëndësishme që marrëveshja të pranohet në plotni, ndërsa plani i sekuencimit të jetë gjithëpërfshirës”, tha Besnik Bislimi. Sipas tij, në këtë muaj, me 18 korrik, Kosova dhe Serbia pritet të dërgojnë komentet e tyre lidhur me planin e zbatimit të marrëveshjes. Në bazë të këtyre komenteve pastaj ndërmjetësit evropian do të nxjerrin një propozim të ri për zbatim.
Nga ana tjetër, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq tha se ai ka këmbëngulur për Asociacionin sepse, sipas tij, është çështja më e rëndësishme për mbijetesën e serbëve dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Petroviq: Asociacioni çështja më e rëndësishme
“Çështja më e rëndësishme është Asociacioni. Kemi biseduar për mënyrën dhe udhërrëfyesin se si të vazhdojmë rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve përmes hapave konkretë. Prandaj është e nevojshme që Prishtina ta pranojë projekt-statutin e hartuar nga BE-ja. Beogradi është i gatshëm të diskutojë për atë statut”, tha Petkoviq.
Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u arrit në fillim të vitit 2023, por nuk u zbatua. Mes tjerash, në marrëveshje i kërkohet Kosovës t’i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Për nisjen e zbatimit të saj, javën e shkuar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nuk ndodhi takimi i shumëpritur ndërmjet tyre, por dy liderët takuan ndaras shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrel dhe ndërmjetësin e dialogut Mirosllav Lajçak. Këta të fundit thanë se “Kosova nuk ishte e gatshme për takim trepalësh”. Kryeministri Albin Kurti, ka paraqitur tre kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin e dialogut dhe në një proces më të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve. Kushtet e Kurtit që të takojë presidentin serb ishin; formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës, tha Borrell. Sipas tij, “Serbia nuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti”.
Fraksion.com