Piu fostokinë para dyerve të SPAK, ndërron jetë Pal Trashaj
Ka ndërruar jetë Pal Trashaj, i cili ditën e djeshme piu fostoksinë para derës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Pal Trashaj 63 vjeç si dhe shumë qytetarë të tjerë shqiptarë ishte viktimë e mikrokredive. Jo shumë kohë më parë përmbarimi i kishte sekuestruar pronën në këmbim të shlyerjes së kredisë.
Trashaj pretendonte se e kishte paguar kredinë, dhe ditën e djeshme shkoi para SPAK dhe kërkonte të takohej me një hetues të BKH-së për t’i ofruar një zgjidhje problemit të tij.
Pasi priti disa orë dhe nuk mori një përgjigje, ai konsumoi fostoksinë. Edhe pse menjëherë mori ndihmën e parë dhe u pa teksa largohej në këmbë për në ambulancë, duket se gjendja shëndetësore e Trashajt është përkeqësuar dhe sot ka ndërruar jetë.
Ka qenë një kredi e mbetur që nga viti 2008, vetëm 760 mijë lekë të vjetra që Micro Credit Albania ia kishte çuar 4.8 milion lekë, që ka çuar Trashajn në këtë akt të rëndë për t’u vetëvrarë.
Kredinë e Pal Trashajt e kishte blerë Micro Credit Albania dhe kërkoi 4.8 milion lekë duke bllokuar për 5 vjet gjithçka: shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën ku punonte. Disa herë kishte kërcënuar në media dhe prokurori për vetëflijim, se nuk kishte mundësi të gjente të drejtën. Sot e bëri.
Një shkresë e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë e vitit 2022 tregon se Banka e Shqipërisë, Prokurori i rrethit dhe Ministri i Drejtësisë janë njoftuar për problemin e Pal Trashajt që e ka burimin në skemën e mikrokredive.
Fraksion.com