AktualitetTë fundit

Abali: Vëmendje të veçantë sigurisë kibernetike të Forcave të Armatosura

Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi të mërkurën seancë dëgjimore me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë, Ardi Abali, në kuadër të raportimit vjetor të veprimtarisë së institucionit për vitin 2023.

Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë Ardi Abali, tha se viti 2023 ka patur ngjarje të rëndësishme, duke veçuar dy sulmet e ndodhura në veri të Kosovës, luftën në Ukrainë dhe konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit.

“Synimi kryesor i Agjencisë është realizimi i detyrës, për mbështetjen e autoriteve të drejtimit e komandimit të FA dhe vetë Forcave të Armatosura me inteligjencë në fushën e zbulimit, kundërzbulimit dhe sigurisë në përmbushje të misionit të tyre kushtetues. Viti 2023 u shënjua me ngjarje me ndikime shumë dimensionale në nivel global dhe në atë kombëtar duke patur parasysh këtu kryesisht, por jo vetëm, situatat e tensionuara  në veri të Kosovës. Sulmet ndaj personelit të KFOR në Zveçan në muajin maj 2023, sulmi terriorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë. Po ashtu, në nivel global situata e konfliktit në Ukrainë, konflikti Izrael-Hamas etj”, theksoi Abali.

Ai nënvizoi se “Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë sigurisë fizike, kibernetike dhe infrastrukturore të Forcave të Armatosura”.

“Në fokus ishin edhe aktivitetet e paligjshme, gatishmëria operacionale e FA, veprimtaritë me karakter spiunazhi që mund të cenonin sigurinë e Forcave të Armatosura. Po ashtu, Agjencia ka patur fokusin edhe tek përgatitjet për vlerësimin e rrezikut lokal gjatë dislokimeve të FA, si dhe rajoneve stërvitore ku lëviste FA. Këtu mund të theksohet se janë zhvilluar një sërë stërvitjesh kombëtare dhe ndërkombëtare, me rëndësi të veçantë stërvitjet e përbashkëta me NATO-n në zonat detare”, tha Abali.

Më tej, ai kërkoi që raportimi të vazhdojë pa praninë e mediave, për shkak të informacionit sensitiv që do të prezantonte. Deputetët dhe mazhorancës dhe opozitës votuan pro kërkesës së kreut të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë.

 

Fraksion.com