AktualitetTë fundit

SPAK dhe autoritetet franceze goditje grupit kriminal të trafikut të drogës, 19 të arrestuar

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në bashkëpunim me autoritetet franceze ka goditur një rrjet të trafikimit të drogërave.

Sipas SPAK gjatë operacionit u lëshuan 19 urdhërarreste, 3 prej të cilëve në Shqipëri dhe 16 në Francë. Po ashtu u sekuestrua lëndë narkotike, vlera e të cilës tejkalon 1 milion euro.

SPAK njofton se hetimi ka nisur në vitin 2023, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

SPAK sqaron se, “aktivitet i paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve që zhvillohej në territorin francez, drejtohej nga një shtetas shqiptar i cili jetonte dhe banonte në Shqipëri”.

Nga hetimet e përbashkëta të kryera nga prokuroritë e dy vendeve, është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Francë dhe në Shqipëri i 19 personave (shtetas shqiptarë dhe të huaj), të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve. Autoritetet franceze të drejtësisë kanë proceduar me arrestimin e 16 shtetasve shqiptarë dhe të huaj, sekuestrimin e sasisë monetare prej 20.000 euro dhe të 3 automjeteve.

SPAK sqaroi se në vijim të këtij hetimi kërkoi nga GJKKO, masën e sigurisë “arrest me burg” për tre persona. Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e Xhandarmërisë Franceze (pjesë e Skuadrës së Përbashkët Hetimore) janë ekzekutuar masat sigurimi personal për personat nën hetim që banonin në Shqipëri për shtetasit: R.D., Z.F., F. I.

SPAK po ashtu sekuestroi një llogari bankare, në emër të personit nën hetim R.D dhe të shtetasit J.H, të shumës monetare prej 20.000 euro. Po ashtu, prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga janë ekzekutuar 10 vendimet e gjykatës dhe janë realizuar kontrolle (banesash, biznesesh, automjetesh, dhe personash).

Pas kontrolleve të ushtruara në territorin shqiptar, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:
· 15 automjete,
· 34.270 euro cash,
· 1000 franga zviceriane,
· 180.000 lekë të reja,
· 9 aparate celularë,
· 3 tableta,
· 1 kamerë, dokumente dhe karta SIM.
. Vlera e lëndëve narkotike të sekuestruara tejkalon vlerën prej 1 milion euro.

 

Fraksion.com