AktualitetBota+Të fundit

Orban arrin për vizitë në Kiev

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, arriti për vizitë në Kiev, për herë të parë prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Zëdhënësi i tij, Zoltan Kovacs, tha se Orban do të diskutojë për “paqen evropiane” me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Bisedimet do të fokusohen në mundësitë për arritjen e paqes, si dhe në çështjet aktuale në marrëdhëniet dypalëshe hungareze-ukrainase”, shkroi Kovacs në X.

Vizita e tij vjen një ditë pasi Hungaria mori presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Orban është një kritik i ndihmave ushtarake të Perëndimit për Ukrainën.

Dhjetorin e kaluar, ai u largua nga një takim i liderëve të Bashkimit Evropian për të shmangur votimin kundër nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës në BE.

BE-ja, muajin e kaluar, i nisi këto bisedime me vendin në luftë.

Orban është, po ashtu, një nga udhëheqësit e paktë perëndimorë që është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, prej se ai ka urdhëruar pushtimin e vendit fqinj./REL

 

Fraksion.com