AktualitetTë fundit

Joachim Röhm për Kadarenë: La një boshllëk të madh nga pas

Në një intervistë ekskluzive me DW, përkthyesi i Ismail Kadaresë në gjermanisht, Joachim Röhm, flet për marrëdhënien me shkrimtarin, dhe librat e tij të preferuar.

Joachim Röhm: Shumë, shumë të dhimbshme. Sepse e di, që ka ikur jo vetëm një shkrimtar i madh i kalibrit botëror, por edhe një figurë orientuese për të gjithë kombin shqiptar, i cili ka arsye për të qenë krenar me Kadarenë. Falë tij, Shqipëria mbeti e fokusuar drejt Europës gjatë tranzicionit nga komunizmi në një shoqëri të lirë. Humbja është e madhe, jo vetëm letrare. Kam shumë kujtime të vlefshme, prej mbi katër dekadash që e kam njohur personalisht, por ato nuk mund të përmblidhen në pak fjalë.

Si ishte marrëdhënia juaj personale me Kadarenë?

Kemi pasur shumë takime gjatë këtyre dekadave, lexime, udhëtime letrare dhe konferenca në gjithë hapësirën gjermanishtfolëse. Në Shqipëri takoheshim gjithmonë, kur shkoja për vizitë ose në shtëpinë e tij, ose në kafenetë që i donte aq shumë. Mund të them se mes nesh ishte krijuar një marrëdhënie miqësore. Ndonjëherë nuk pajtohej me mendimet e mia, por me të mund të diskutoje për gjithçka. Si përkthyes vlerësoja mundësinë për ta pyetur gjithmonë, por ai asnjëherë nuk ndërhynte në punën time.

Nëse do të donim ta përshkruanim Ismail Kadarenë në bazë të personazheve të letërsisë së tij, kush do ta karakterizonte më së miri?

Ah, mendoj se shumë nga personazhet kanë diçka prej tij. Por besoj se kjo vlen për pothuajse të gjithë shkrimtaret dhe shkrimtarët. Vepra më personale e tij është ndoshta “Aksidenti”, por e di që raporti i tij me këtë libër më vonë ishte i dyzuar. Në gjermanisht nuk është përkthyer. Te personazhi i Besian Vorpsit nga “Prilli i thyer” gjen autorin në interesin e tij për traditat shqiptare. Te Rudian Stefa, në librin “E Penguara”, sheh shkrimtarin që duhet të mbijetojë nën mullinjtë e regjimit. Por personaliteti shumë kompleks i Ismail Kadaresë nuk mund të gjendet i tëri në librat e tij. Dhe besoj se kjo nuk mund të pritet.

Cili libër i Kadaresë tregon më së miri sipas jush mjeshtërinë e penës së tij? 

Ismail Kadare pëlqente formën e shkurtër, dhe shumë vepra të tij tregojnë se sa mirë e zotëronte atë. Këtë e dëshmon më së miri vëllimi “Vjedhja e gjumit mbretëror”. Romane si “Dimri i vetmisë së madhe” dhe “Koncert në fund të dimrit” tregojnë se ai e ndiente veten të sigurt edhe në forma më komplekse shkrimi.

Ju, si përkthyes, a keni një libër që e doni më së shumti?
“Kronikë në gur”. Ishte romani i parë i Kadaresë që kam përkthyer në gjermanisht (asokohe në shtëpinë botuese “Residenz” në Salzburg, Austri) dhe, sipas meje, është vepra e tij më intime dhe më e ngrohtë. Por edhe “Kamarja e turpit” është një libër, krejt ndryshe nga i pari, që më pëlqen shumë; po ashtu, personazhi i Gjorgut te “Prilli i thyer”.

Ju e keni shoqëruar atë në shumë lexime në Gjermani. Çfarë pëlqenin lexuesit gjermanë më shumë te vepra e Kadaresë?

Jo vetëm në Gjermani, por edhe në Austri dhe Zvicër, Kadareja kishte një audiencë relativisht të vogël, por besnike dhe të përkushtuar. Lexuesit gjermanë vlerësonin sesi Kadare ndriçonte ndërveprimin midis miteve dhe realitetit dhe e përdorte këtë për të zbuluar marrëdhëniet e pushtetit. Kjo mund të jetë njëra nga arsyet e pëlqimit. Por ndoshta edhe njëfarë ekzotizmi i tij nga këndvështrimi i këtushëm; ose edhe talenti i tij i veçantë si rrëfimtar.

Përkthimet tuaja të veprave të Kadaresë janë shumë të vlerësuara në Gjermani dhe ju keni fituar çmimin e njohur Jane Scatcherd për përkthyes. Kadare vetë nuk ka fituar një çmim të rëndësishëm letrar në Gjermani. Si e shpjegoni këtë?

Në Gjermani nuk ka çmime letrare të krahasueshme me Man-Booker ose Princi i Asturias. Por, fakti që Kadare mund të jetë parë me dyshim nga disa figura të skenës letrare gjermane, ka të bëjë me debatin e këtushëm për përgjegjësinë e shkrimtarëve gjatë socializmit. Ky debat filloi në vitet ’90 rreth figurës së shkrimtares Christa Wolf. U krijua një perceptim i padrejtë për Kadarenë dhe shumë kritikë letrarë, që më parë e lëvdonin atë, filluan ta kritikonin, megjithëse vepra e tij nuk kishte ndryshuar. Mendoj se shumica e tyre nuk e njihnin realitetin brutal të Shqipërisë, me të cilin duhej të përballeshin autorët shqiptarë, ndaj dhe besuan shumë lehtë në thashethemet nga skena letrare e përçarë shqiptare. Unë kam shkruar për këtë gjetkë. Gjithsesi, është e pamohueshme që debatet e atëhershme kanë lënë ende një shije të hidhur.

Shihni në letërsinë shqipe një pasardhëse ose një pasardhës të denjë, që mund ta zërë vendin e Kadaresë?

Nuk besoj se shkrimtarët e mëdhenj mund të zëvendësohen ose duhet të zëvendësohen. Një Kafka i dytë? Vështirë të parafytyrohet. Është e qartë se Kadareja lë një boshllëk të madh. Por fakti, që letërsia shqipe është tani në gjendje jo fort të mirë, nuk ka të bëjë me Kadarenë. Ka arsye të tjera, të shmangshme dhe të pashmangshme. Përmirësime mund të arrihen, nëse shkrimtarët nuk e kthejnë kokën vetëm nga e kaluara, por fillojnë të merren seriozisht me realitetet e sotme, ashtu siç bënte Kadareja në kohën e tij.

Joachim Röhm, i lindur më 1947-n në Stuttgart, është përkthyesi më i rëndësishëm i veprave të Ismail Kadaresë në gjermanisht.  Röhm është vlerësuar me çmimin Jane Scatcherd (Fondacioni Heinrich Maria Ledig-Rowohlt) dhe me çmimin Jusuf Vrioni për përkthyesit (Republika e Shqipërisë).