Rama: Historia e aparaturës së kobaltit tek Onkologjiku, e fabrikuar
Kryeministri Edi Rama, tha të hënën, se zgjidhja për ngjarjen e ndodhur tek onkologjiku është identifikimi dhe adresimi i problematikës përmes masave, dhe jo dorëheqja emocionale nga një ngjarje kaq e shëmtuar.
Kreu i qeverisë, gjatë një takimi me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, u shpreh se historia e aparaturës së kobaltit është një histori e fabrikuar dhe pompuar nga pompat e kanaleve të ujërave të zeza mediatike.
“E mirëkuptueshme në dhimbjen e vet dhe klithma për pushkatim, që shfaqet tek-tuk. Të zakonshme ato akuza e sajesa të bashkangjitura me to, nga ana e atyre që në shpirtin katran dhe në mendjen sahan, i gëzohen këtyre rasteve për atë lojën e përditshme me nervat e njerëzve, që mund ta ngrenë në kulme të reja, deri në fabrikimin e historisë së kobaltit, kriminale. Krim më vete. Të mbështetur si përditë edhe nga pompat e kanaleve të ujërave të zeza mediatike”, tha Rama, duke iu referuar raportimeve se aparatura nuk ishte vendosur në funksionim me qëllim.
Kryeministri theksoi se përgjegjësia e tij dhe e drejtuesve të shëndetësisë sipas shkallës së përgjegjësisë është adresimi sistemik i problematikave.
“I problematikave të ditura, që janë adresuar dhe vijojnë të adresohen hap pas hapi, apo i atyre problematikave befasuese, si kjo e ditëve të fundit, dhe jo reagim emocional me pushkatim imagjinar, apo me dorëheqje irracionale”, nënvizoi kreu i qeverisë.
Sipas Ramës, më e rëndësishmja është mbi të gjitha identifikimi, brenda kuadrit të problematike i masave që do të ndikojnë në rritjen e përgjegjësisë individuale të vetëdijes kolektive të bluzave të bardha në sektorin publik.
“Të drejtat që ju asnjëherë nuk ngurroni t’i kujtoni shkojnë bashkë me detyrimet dhe detyrimet duhet të garantohen jo vetëm nga ndërgjegja e individëve, por dhe forcimi i vazhdueshëm i sistemit të funksionimit të sektorit”, nënvizoi Rama.
Fraksion.com