Kurti: Serbia e shfaqi përsëri armiqësinë ndaj paqes dhe pajtimit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kritikuar vendimin e autoriteteve serbe për ndalimin e mbajtjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan” të enjten në Beograd, duke thënë se Serbia ua ofroi skenën “grupeve huligane” në vend se t’ua linte artistëve.
“Fatkeqësisht, Serbia e shfaqi përsëri armiqësinë e saj të paepur ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me paqe dhe pajtim”, shkroi Kurti në X pak pas mesnatës të enjten.
Festivali “Mirëdita, dobar dan”, që promovon bashkëpunimin kulturor mes Kosovës dhe Serbisë, u ndalua me urdhër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, më 27 qershor, pak para hapjes së planifikuar të tij në Beograd.
Autoritetet ndaluan mbajtjen e festivalit pas protestave të grupeve ultra të djathta dhe huliganëve.
Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë sheshin Dorqol, ku mbahet festivali, grupi i protestuesve u dëgjua duke brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”, kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë fyer qytetarët e Kosovës.
“Një festival kulturor me një histori njëdekadeshe të festimit të shumëllojshmërisë që bashkon artistët nga Kosova dhe Serbia, ‘Mirëdita, dobar dan’ u rrëmbye nga zëvendëskryeministri i Serbisë, [Aleksandar] Vulin dhe ministri i Brendshëm [Ivica] Daçiq, të cilët e shtrembëruan atë duke e shndërruar në paradë groteske të mesazheve diskriminuese dhe urrejtëse”, tha Kurti.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të enjten se urdhri për ndalimin e tubimit në festivalin “Mirëdita, dobar dan” u lëshua shkaqe sigurie.
“Ministria e Brendshme lëshoi urdhër për ndërprerjen e tubimit publik ‘Mirëdita, dobar dan’, për shkak se mund të rrezikojë sigurinë e njerëzve dhe pronës, por edhe rrezikon të prishë rendin publik dhe paqen në shkallë të gjerë”, tha Daçiq, por edhe Ministria e Brendshme.
Prej themelimit të tij më 2014, festivali në Beograd, që promovon bashkëpunimin kulturor mes Serbisë dhe Kosovës, është shoqëruar me protesta nga organizatat e krahut të djathtë dhe partitë që kanë tentuar të ndalojnë mbajtjen e festivalit.
Disa javë para hapjes së festivalit, në media dhe rrjete sociale ka pasur njoftime për këtë ngjarje, që kanë qenë të shoqëruara me gjuhë të urrejtjes.
“Mirëdita, dobar dan” mbahet një herë në vit, në mënyrë alternative në Prishtinë dhe Beograd, me qëllim që ta afrojë skenën kulturore serbe me Kosovën dhe anasjelltas, për të prezantuar skenën bashkëkohore kulturore dhe artistike të Kosovës para publikut nga Serbia.
Ngjarja organizohet nga organizatat joqeveritare – Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Iniciativat Qytetare nga Serbia dhe Integra nga Kosova./REL
Fraksion.com