AktualitetPolitikëTë fundit

Refuzohet kërkesa për interpelancë, Bardhi-Nikollës: Po i shërbeni Ramës, duke shkelur Kushtetutën

Deputeti Gazement Bardhi ka debatuar ashpër me kryeparlamentaren, pasi është rrëzuar kërkesa për interpelancë me Edi Ramën. Bardhi tha se mazhoranca po shkel Kushtetutën, pasi po refuzon kërkesat e opozitës.

“Po ta shikoni gjatë gjithë kësaj periudhe ju keni kthyer një përjashtim në rregull në shkelje të Kushtetutës, sa herë deputetët e Kuvendit, për shkak të vendimit personal të një frikacaku që flet vetëm me veten, por nuk ka guximin të vijë të përballet me opozitën, ju keni kthyer në rregull që refuzoni çdo kërkesë për interpelancë të deputetëve të opozitës ndaj kryeministrit. Kjo është një shkelje flagrante. Ju zonja kryetare jeni atje për të respektuar Kushtetutën dhe mbi të gjitha jo për t’i shërbyer kryeministrit, por si garante për respektimin e të drejtave të deputetëve të opozitës. Kur keni bërë betimin mbi Kushtetutë keni thënë atë fjalinë e famshme që do të mbroni më shumë të drejtat e opozitës, sesa të mazhorancës.

Në fakt me veprimet tuaja, ju në mënyrë koherente refuzoni në mënyrë arbitrare çdo kërkesë të ligjshme për interpelancë të deputetëve të opozitës. Kjo sjellje e juaja antikushtetuese është shtrirë edhe te qeveria, asnjë kërkese për informacionit që është po ashtu një e drejtë kushtetuese e opozitës, anëtarët e kabinetit qeveritar nuk i përgjigjen. Ka nja dy muaj, unë nuk e di për shembull, kush është ministri i Financave i Shqipërisë, në aktivitete nuk e shohim në seancë plenare nuk ka qenë asnjëherë, i dërgojmë kërkesa për informacion dhe ai nuk denjoj të kthejë përgjigje.

Në këtë raste do duhet të jetë kryetari i Kuvendit që të ndërhyjë. Ndaj zonja kryetare në mënyrë krejtësisht etike po ju kërkoj të hiqni dorë nga sjella provokuese ndaj deputetëve të opozitës”, tha Bardhi.

 

Fraksion.com