AktualitetPolitikëTë fundit

“Të 7-tët në klasifikim për transparencën”, Rama: Qesharake dhe dramatile kur nxjerrja e dokumenteve në publik paraqitet si një zbulim

Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “Shqipëria ishte e 86 në klasifikim deri kur në vitin 2014 ne hodhëm hapin e parë serioz duke transformuar bazën tonë ligjore dhe sot nëse e klikoni do ta gjeni në vendin e 7 për sa i përket legjislacionit për të drejtën e informimit dhe transparencës”.

Në fjalën e tij në Konferencën e VI Kombëtare për të Drejtën e Informimit Rama tha se “dëshiroj që të përfitoj së pari për të vlerësuar me shumë respekt dhe mirënjohje punën e Komisionerit dhe të Zyrës së Komisionerit, e cila e ka nderuar Shqipërinë në procesin e negociatave për anëtarësim me BE-në kur Shqipëria iu nënshtrua një diagnozë shumë të thelluar nga ana e Komisionit Evropian, e cila njihet me emrin screening”.

“Ky moment i shkëlqimit të një institucioni të Republikës së Shqipërisë në atë proces dhe tërësia e procesit ku Shqipëria mori vlerësime jashtëzakonisht pozitive dhe surprizuese edhe për mua vetë, jo më për palën nga ana tjetër e tryezës që ishte Komisioni Evropian janë në një arsye shumë e fortë për të kuptuar se sa shumë më tepër mund të bëhet, por edhe për të pasur parasysh nga ana tjetër se forcat e nevojshme për të bërë gjërat që mund të bëhen ne i kemi sepse po të mos i kishim do të ishte e pamundur për Shqipërinë të dilte me aq shumë dinjitet dhe sukses në procesin e diagnostikimit nga ana e Komisionit Europian”, nënvizoi Rama.

“Shqipëria ishte e 86-ta në klasifikim, deri në 2014 kur ne hodhëm hapin e parë serioz, duke transformuar bazën tonë ligjore. Sot, nëse e klikoni, Shqipërinë do ta gjeni në vendin e shtatë sa i përket legjislacionit. Madje, Komisioneri që është nga Labëria dhe s’mund ta pranojë dot të jetë i shtati, nëse autobusi me 7 mund të jetë i vendosur paralelisht po më thoshte se disa ndryshime të reja që kemi bërë si dhe me ligjin e ri që kemi gati do të bëjnë që ne të ngjitemi edhe më lart”, theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh se “këtu fillon edhe debati që në këtë rast e kemi me një shembull, por që mund ta gjejmë në të gjithë jetën e vendit sot për hendekun mes legjislacionit dhe zbatimit të legjislacionit. Kur dëgjon që 70% e ankesave për mungesën e të drejtës ose shkeljes së të drejtës se informacionit që vijnë në Zyrën e Komisionerit përmbushen në sekondë, pasi Zyra e Komisionerit vihet në lëvizje dhe i kërkon institucioneve përkatës të informojnë qytetarin apo grupin e caktuar të interesit është për të vënë duart në kokë”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “tjetër që bën shumë përshtypje është që ende sot ka një mendësi dominante në administratë që dhënia e informacionit është një ekspozim i panevojshëm, ndërkohë që këtu bëhët fjalë për të dhënë informacion mbi veprimet e kthyera në vendime, të cilat janë aty”.

“Është absolutisht dramatike edhe aq qesharake kur marrja e informacionit, marrja e dokumenteve që janë shkruar dhe që ekzistojnë dhe nxjerrja e tyre në publik paraqitet si një zbulim. Gjeta një dokument, në fakt ai dokument nuk është pronë e askujt, nuk është pronë e qeverisë së radhës, por pronë publike dhe prona publike duhet të jetë e aksesueshme”, tha Rama duke shtuar se ne mund të bëjmë një progres shumë të shpejtë.

Rama theksoi se “nuk ka një mënyrë më efikase për të përballuar dezinformimin duke dezinformuar më shumë, nuk ka një mënyrë të drejtë e demokratike e më ballafaquese për t’iu kundërvënë dezinformimit sesa rritja e informimit”.

 

Fraksion.com