“Programi i transparencës”, Pirdeni: Përshtatja e kuadrit ligjor me nevojat që buronin nga realiteti
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni tha se, 222 autoritete publike zbatojnë sot programin e transparencës.
Duke marrë fjalën në Konferencën e 6-të Kombëtare “E Drejta për Informim”, ministrja Pirdeni theksoi se, në 2023 u mundësua përshtatja e kuadrit ligjor me nevojat që buronin nga realiteti, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.
“Ky vit shenjon dekadën e miratimit të Ligjit Për të drejtën e informimit” dhe nisjen e një procesi kuptimi, pranimi dhe zbatimi të një qasje të re, më efektive, dhe më të shpejtë ndaj transparencës. Me kalimin e viteve pati një proces gradual të shtimit të autoriteteve publike që kanë detyrim të zbatojnë programin e transparencës nga 145 institucione në vitin 2015 në 332 në vitin 2023, sikurse edhe prej vitit 2018 u vu në funksionim regjistrit qendror i kërkesave dhe përgjigjeve, i cili sot është funksional në 222 autoritete publike, duke vendosur kështu themelet e një shtrirje kapilare të sistemit të dhënies së informacionit”, u shpreh Pirdeni.
Pirdeni vuri në dukje se në vitin 2023 Shqipëria bëri një hap tjetër cilësor përpara, përmes miratimit të ligjit për të dhënat e hapura dhe për ripërdorimin e informacionit të sektorit publik, për të vënë në dispozicion të publikut përmes portalit opendata.gov.al një koleksion të gjerë informacioni për sektorë të ndryshëm, duke nisur nga shëndetësia, arsimi, biznesi, buxhetimi, përmes publikimit deri më sot nga AKSHI të 92 grupe të dhënash nga 8 ministri dhe 5 institucione varësie me rëndësi për të dhënat që gjenerojnë dhe ruajnë.
Ndërkaq, vijoi ajo, sot, paraqitet si nevojë absolute që të reduktojmë problematikat krejtësisht të shmangshme në transparencën e informacionit për publikun, të cilat gërryejnë në mënyrë të panevojshme imazhin e dhe punën e zyrtarëve publikë.
“Vlen të theksohet se nga viti në vit, sikurse vlerësohet edhe nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të vitit 2023, transparenca qeveritare është rritur falë publikimit të draft-dokumenteve qeveritare, përfshirë njoftimet, raportet e vlerësimit të ndikimit ligjor dhe raportet e konsultimeve publike në platformën e dedikuar online. Një hap i rëndësishëm për procesin ka qenë veçanërisht hartimi dhe hyrja në fuqi e Udhëzuesit të ri për Konsultimin Publik në vitin 2021, i cili parashion kontrolle më rigoroze për cilësinë e procesit”, theksoi ministrja Pirdeni.
Pirdeni informoi se në një këndvështrim vjetor për vitin 2023, ministritë e linjës raportuan mbi 2500 pjesëmarrës në konsultime publike, përmes metodave të ndryshme të konsultimit dhe 382 prej tyre kontribuan me komente dhe sugjerime. Veçanërisht sa u përket shkëmbimeve konsultative periodike në fushën më të gjerë të shtetit të së drejtës, kemi krijuar një rrjet bashkëpunimi për çështjet antikorrupsion me 13 OSHC pjesëmarrëse, me të cilat shkëmbejmë rregullisht kontribute dhe ekspertizë dhe jemi tejet entizuastë që ky bashkëpunim merr jo vetëm formën e sugjerimeve dhe rekomandimeve, por shoqërohet edhe me bashkëorganizime të veprimtarive të përbashkëta, fryt i këtij partneriteti.
“Në vitet në vijim planifikojmë të zgjerojmë proceset e konsultimit publik edhe për aktet e qeverisjes lokale. Ky vizion parashikon njëherësh me vizionin e Shqipërisë 2030 të procesit të konsultimit publik në legjislacionin dytësor me karakter normativ dhe në fushat me interes të lartë publik, ekonomia, çështjet sociale dhe mjedisi, sipas zotimeve të ndërmarra tashmë në kuadër të Udhërrëfyesit për Reformën në Administratën Publike deri në vitin 2030, dërguar Komisionit Evropian në dhjetor 2023”, theksoi ajo.
“Zbatimi i këtij Udhërrëfyesi do të jetë në qender të punës edhe të Komisionit të Posaçëm Parlamentar të krijuar rishtazi për thellimin e reformave në fushën e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit. Diskutimet e sotme vijnë në një linjë me dy nga shtyllat e punës së këtij Komisioni, përkatësisht mirëqeverisjen dhe antikorrupsionin, dhe natyrisht jemi të gatshëm që të furnizojmë Komisionin me çdo informacion gjykohet relevant, si dhe mirëpresim shikimin 360 gradë që Komisioni do të bëjë mbi cfarë kemi bërë dhe nga shumëçka mbetet ende për të bërë në përpjekjet drejt transparencës, llogaridhënies dhe integritetit si themele të mirëqeverisjes së Shqipërisë evropiane të 2030-ës”, përfundoi ministrja Pirdeni.
Fraksion.com