“Lajmësi nuk ka faj”, Rama: Gazetarët nuk nxjerrin sekret hetimor
Kryeministri Edi Rama në Konferencën Kombëtare për të drejtën e informimit komentoi edhe rëndësinë e sekretit hetimor.
“Sekreti hetimor është diçka tjetër. Përfitoj nga rasti të falënderoj Avokaten e Popullit dhe të solidarizohem me Avokaten e Popullit lidhur me një rast të një gazetari, i cili u akuzua dhe keqtrajtua për nxjerrje të sekretit hetimor. Ka ndodhur edhe gjatë kohës së pandemisë kur prokuroria iu vu mbrapa disa gazetarëve. Për mua gazetarët nuk nxjerrin sekretet hetimore, se nuk i disponojnë, por i disponojnë prokurorët”, theksoi Rama.
Kur gazetarit i bie në dorë sekreti, vijoi Rama, nuk është më detyrim i tij të ruajë sekretin.
“Nuk shkon drejt tij hetimi, por drejt atyre që ia dhanë atij. Që në Kanun shkruhet e zeza mbi të bardhë: lajmsi nuk ka faj, por kush e prodhoi apo ia dha atij lajmin që ta çojë diku tjetër, është burimi me të cilin duhet të merresh nëse se rast se lajmi është një gënjeshtër apo nuk duhet të dilte”, u shpreh Rama.
E them këtë, shtoi Rama, për të nënvizuar se informacioni mbi gjithçka që institucionet publike bëjnë dhe mbi gjithçka që ekziston në letër, me firmë dhe vulë dhe nuk përfshihet në atë hapësirë fare të ngushtë që ligji e përcakton si hapësirë të paaksesueshme për publikun ku hyn edhe sekreti hetimor, është pronë publike, që shteti nuk ka asnjë të drejtë t’ia mohojë qytetarëve.
“Meqë iu referova Avokates së Popullit, po ndalem te Gjykata Kushtetuese, e cila nuk iu lë kohë spekulimeve, por i publikon menjëherë vendimet e veta. Madje dhe vetë kryetarja e Gjykatës bën shpjegime të vendimeve e veta. Këta janë shembuj për t’u replikuar kudo”, tha Rama.
Fraksion.com