Konstituohet Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin, opozita nuk merr pjesë
Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin u mblodh sot për herë të parë, ndërsa opozita nuk mori pjesë.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në fjalën e saj përshëndetëse theksoi se informimi po bashkëjeton me dezinformimit, qëllimet e mira me ato malinje, influencat pozitive në kulturë edukime qytetërim po bashkëjetojnë me ndikime që synojnë të shpien shoqëritë tona drejt dhunës dhe konflikteve.
“Ka raste që burime e aktorë teknologjik po nxitene e mbështeten nga qeveri apo grupime politike apo ideologjike që synojnë të krijojnë terren për terrorizëm dhunë, ekstremizëm të dhunshëm radikalizëm dhe veprime të tjera antiqytetëruese. Këto influenca janë një rrezik real për proceset dhe institucionet demokratike”, deklaroi Nikolla.
Sipas saj, Shqipëria ka hyrë tashmë në fazën vendimtare të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Ne e kemi bërë të qartë që kemi vetëm një plan “A” që është destinacioni në BE. Këtë vizion dhe orientim e kanë edhe shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë bashkimin në familjen e madhe europiane. Por në fakt vendet tona janë bërë dhe do të vijojnë të jenë objektiv dhe i influencave jo perëndimore.
Nikolla theksoi se për Shqipërinë janë thjesht influenca të jashtme por për vende të tjera të rajonit bashkëveprojnë edhe me faktorë të brendshëm.
“Ky fakt nuk është thjesht fat i yni por edhe meritë e jona për shkak të rrënjëve, vizionit, perspektivës europiane të popullit shqiptar. Këto influence nuk janë thjeshtë teorike dhe ideologjike, por ndeshin dhe rrezikojnë aspekte të ndryshme të veprimtarisë së institucioneve. Ky kontekst na çoi në ngritjen e komisionit që konstituojmë sot”, u shpreh Nikolla.
Kryetari i Komisionit, Erion Braçe theksoi se qëllimi i komisionit nuk është të përndjekë, as individë e as organizata.
Sipas tij, ky komision ka për qëllim të njohë, të mbledhë të dhëna, të analizojë gjetje mbi to, të organizojë një masë kritike shoqërore dhe institucionesh publike e private për t’ju përgjigjur në mënyrë të tillë, të organizuar një lufte të organizuar të shteteve jo mike dhe qëllimeve të tyre malinje të shtuara, veçanërisht prej luftës në Ukrainë edhe ndaj Shqipërisë, si factor kyç properëndimor, stabiliteti në Europën Juglindore, anëtare e NATO-s dhe në negociata me BE-në.
“Ku komision do të duhet të organizojë të gjithë faktorët shoqërore, politikë e jo të tillë, institucionet publike, vendimmarrëse dhe ekzekutive të pavarura, për të mbrojtur vlerat tona, demokracinë, lirinë për të zgjedhur, ekonominë, veçanërisht sektorët strategjikë të ekonomisë, lirinë e tregut si pjesë e lirisë ekonomike”, tha ai.
Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin do të funksionojë për një afat kohor 1-vjeçar, dhe synon të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike duke nisur nga fushatat e dezinformimit nëpërmjet medieve tradicionale dhe atyre sociale, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë si dhe ndikimin keqdashës ekonomik të aktorëve publike dhe minimin e veprimtarisë së shoqërisë civile.
Ngritja e Komisionit erdhi si propozim i socialistëve me firmat e 7 deputetëve, kërkesë që sipas tyre ndjek të njëjtën linjë me vendet perëndimore dhe parlamentin evropian në luftën kundër dezinformimin dhe ndërhyrjen nga vendet e huaja.
Fraksion.com