E drejta e informimit, Tabaku: Një qeveri e tillë thjesht u premton shqiptarëve fjalën që nuk e mban!
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama në konferencën për të drejtën e informimit, ku ai kërkoi që deri në fund të vitit çdo vendim qeverie, institucioni, çdo marrëveshje që nuk është koenfidenciale duhet të jetë publike.
Tabaku, përmes një postimi në rrjetin social X renditi arsyet që, sipas saj, e kanë kthyer qeverinë jo në një entitet transparent por në një qeveri të mbyllur brenda vetes që nuk publikon më as vendimet e Këshillit të Ministrave, as ofron transparencë mbi kontratat koncesionare. Tabaku tha se madje edhe kur e ka detyrim me ligj si në rastin e raportit të Koncesioneve në Ministrinë e Financave, Qeveria refuzon ta bëjë.
Sipas Tabakut, raporti i qeverisë socialiste me transparencën është
mospublikimi i vendimeve të Këshillit të Ministrave, krijimi Kullës së Kontrollit të informacionit me rezidencë në zyrën e Kryeministrit, mungesë përgjigje dhe përkeqësim të ditëve për kthim përgjigje, një qeveri që shkeli të drejtën e informimit dhe gjatë pandemisë, një qeveri që refuzon t’i përgjigjet kërkesave për informacion për kontratat koncesionare duke i mbajtur në sirtar.
“Një qeveri e tillë nuk mund të ndryshojë brenda ditës! Ajo thjesht u premton shqiptarëve fjalën që nuk e mban!”, përfundoi Tabaku.
Fraksion.com