Dervishi: Transparenca dhe lufta kundër korrupsionit janë të lidhura ngushtësidht sepse përjashtojnë njëra-tjetrën
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, u shpreh se Shqipëria ka përafrim gati 100% të kuadrit ligjor me Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij në Konferencën e VI Kombëtare të së Drejtës për Informim, Dervishi tha se, rruga drejt arritjes së standardeve më të larta të transparencës është ende e gjatë dhe e vështirë.
Po ashtu, Dervishi nënvizoi se procesi screening tregoi se administrata publike është e aftë për të përballuar sfidat e integrimit evropian të vendit.
“Mund të konsiderohemi një nga vendet me kuadrin ligjor më të plotë për të drejtën për informim. Kemi një nga ligjet më të mira në botë dhe përmirësimet e vitit të kaluar e përmirësojnë e forcojnë edhe më tepër zbatimin e tij.
Kemi përafrim gati 100% të kuadrit ligjor me BE përsa i përket të dhënave të hapura dhe përdorimin e informacionit publik”, tha Dervishi.
Sipas tij, sot ka në qarkullim më shumë informacion se në çdo periudhë tjetër.
“Rruga drejt arritjes së standardeve më të larta të transparencës është e gjatë dhe e vështirë. Procesi screening tregoi se administrata publike është e aftë për të përballuar sfidat e integrimit evropian të vendit”, u shpreh ai.
Dervishi shtoi se, çdo proces transparent e bën gati të pamundur korrupsionin dhe çdo akt korruptiv një nga elementët kryesorë ka mungesën e transparencës.
“Transparenca dhe lufta kundër korrupsionit janë të lidhura ngushtësisht sepse përjashtojnë njëra-tjetrën.
Çdo proces transparent e bën gati të pamundur korrupsionin dhe çdo akt korruptiv një nga elementët kryesorë ka mungesën e transparencës”, theksoi Dervishi.
Fraksion.com