Mandati i Xhaçkës, pritet vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese mbylli sot shqyrtimin gjyqësor të kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes së Partisë Socialiste Olta Xhaçka.
Të pranishëm në seancë për llogari të palës kërkuese ishte avokati Marash Logu dhe kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Për llogari të Kuvendit ishte juristja Artemisa Hoxha, ndërsa mbrojtësi ligjor i deputetes Xhaçka ishte avokati Genci Çifligu
Në nisje të seancës Gazment Bardhi, u shpreh se Kuvendi ka injoruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Rezulton e provuar që vendimmarrja e Kuvendit është antikushtetuese, dhe është një injorim i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi në këtë procedurë parlamentare s’ka konstatuar asnjë pengesë formale, juridike ndaj mocionit të paraqitur nga 1/10 e deputetëve. Këshilli i rregullores ka zhvilluar vetëm 1 mbledhje për këtë çështje. Ndryshe nga sa referon Kuvendi, që raporti nuk është votuar, në procesverbal lexohet se ai është votuar”, tha Bardhi, i cili në fund kërkoi nga Gjykata Kushtetuese trajtimin në themel të kërkesës së opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të deptuetes Olta Xhaçka.
Avokatja Artemisa Hoxha, tha se Kuvendi ka zbatuar çdo vendim dhe qëndrim të Gjykatës Kushtetuese.
“Kuvendi ka zbatuar në mënyrë esplicite atë që ka vendosur Gjykata Kushtetuse, pra për kontrollin formal dhe pa debat parlamentar. Ne vlerësojmë se çështja është ezauruar në Kuvend dhe Gjykata Kushtetuese duhet të rrëzojë kërkesën e opozitës”, tha Hoxha.
Mbrojtësi ligjor i deputetes Olta Xhaçka, Genc Çifligu, u shpreh se konflikti i interesit i klientes së tij nuk qëndron. Ai tha se “Kuvendi ka shqyrtuar rastin dhe ka dhënë vendimin e vet. Kërkesa e opozitës është e pabazuar dhe duhet rrëzuar”, u shpreh Çifligu.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi në përfundim të seancës u ndal në një deklaratë për mediet, ku tha se Gjykata Kushtetuese duhet të ngrihet në lartësinë e detyrës.
“Besoj që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të ngrihen në lartësinë e detyrës së tyre dhe do të mbrojnë dinjitetin e tyre personal si anëtarë të kësaj gjykate dhe dinjitetin e këtij institucioni. Ne nuk kemi hyrë në prova, pasi t’i hyjmë provave duhet që Edi Rama të lejojë që të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sa i takon avokatit apo zonjës Xhaçka, kemi dëgjuar atë që thotë se po investonte si investitor strategjik në një pronë private”, tha Bardhi.
Fraksion.com