AktualitetBota+Të fundit

Rritet numri i të vrarëve në Dagestan

Më shumë se 15 oficerë policie dhe disa civilë, duke përfshirë një prift ortodoks, u vranë nga militantë të armatosur në Republikën jugore të Dagestanit të Rusisë të dielën, tha guvernatori i saj Sergei Melikov, në një video deklaratë të publikuar mëngjesin e së hënës.

Autoritetet thanë se personat e armatosur hapën zjarr në dy kisha ortodokse, në një sinagogë dhe në një postbllok policie në dy qytete.

Komiteti Kombëtar kundër terrorist i Rusisë, i përshkroi si akte terroriste sulmet në rajonin me shumicë myslimane, që ka një histori kryengritjesh të armatosura.

E hëna, e marta dhe e mërkura janë shpallur ditë zie në rajon.

Ministria e Brendshme e Dagestanit tha se një grup njerëzish të armatosur qëlluan në një sinagogë dhe një kishë në qytetin e Derbentit, që ndodhet në Detin Kaspik. Si kisha ashtu edhe sinagoga morën flakë, sipas mediave shtetërore. Pothuajse në të njëjtën kohë, u raportua për një sulm në një kishë dhe një postë të policisë rrugore në kryeqytetin e Dagestanit, Makhachkala.

Autoritet njoftuan një operacion kundër terrorizmit në rajon. Komiteti Antiterrorist tha se pesë persona të armatosur u “eliminuan”. Guvernatori tha se gjashtë “banditë” ishin “likuiduar”. Të dhënat ishin të paqarta dhe sikundër edhe numri i militantëve të përfshirë në sulme.

Askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmet.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass, citoi burime të policisë të kenë thënë se një zyrtar në Dagestan u arrestua për përfshirjen e të birit në sulme.

Guvernatori Melikov tha se situata në rajon është nën kontroll dhe u zotua se hetimi i sulmeve do të vazhdojë derisa “të gjitha celulat e fjetura” të militantëve, të zbulohen.

Ai pretendoi, pa dhënë prova, se sulmet mund të ishin përgatitur nga jashtë dhe iu referua asaj që Kremlini e quan “operacioni i posacëm ushtarak” në Ukrainë, në një përpjekje të dukshme për të lidhur sulmet me të.

Në muajin mars, persona të armatosur hapën zjarr mbi një turmë në një sallë koncertesh në periferi të Moskës, duke vrarë 145 njerëz. Një degë e grupit të Shtetit Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, por zyrtarët rusë gjithashtu kërkuan të lidhnin Ukrainën me sulmin, pa ofruar asnjë provë. Kievi ka mohuar me forcë çdo përfshirje./voa

 

Frakaion.com