AktualitetPolitikëTë fundit

Reagon Balla për arrestimin e policit: Procesi i vetëpastrimit vijon, rrit besimin e qytetarëve

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha sot se procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit vijon dhe synon largimin nga forcat e rendit të atyre që nuk e meritojnë besimin e qytetarëve.

Në një reagim në rrjetet sociale, Balla ka vlerësuar punën e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë për arrestimin e një punonjësi policie të akuzuar për korrupsion.

“Vijon procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit nga ata që nuk meritojnë besimin e qytetarëve dhe uniformën e Policisë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës kanë ndaluar një oficer policie, të dyshuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv””, shkruan Balla, në postimin e tij.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), njoftoi të dielën se pas hetimeve intensive të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke aplikuar edhe metoda speciale të hetimit, ka arrestuar në flagrancë oficerin e policisë, Nënkomisar K. P., 35 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

AMP njoftoi se, arrestimi i tij u bë i mundur pasi nga hetimi i kryer, u administruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet e policisë gjyqësore, ka kërkuar dhe marrë shumën monetare prej 50.000 lekësh, duke premtuar shmangien nga përgjegjësia penale ndaj një shtetasi, i cili disa ditë më parë ishte kallëzuar nga një tjetër shtetas për kanosje.

Në përfundim të veprimeve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 50 mijë lekësh, një automjet Hyundai, një aparat celular dhe dokumenta të tjera që lidhen me ngjarjen. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë me prova ligjore, si dhe identifikimin e punonjësve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.

 

Fraksion.com