“Nuk duam muaj mjalti”, në qeverinë e re të RMV edhe koalicioni shqiptar
Deputetët e Kuvendit të RMV-së votuan qeverinë e re me 77 vota pro dhe 22 kundër. Në qeveri futet edhe koalicioni shqiptar VLEN.
Miskoski: “Nuk duam muaj mjalti”
“Po vjen koha kur atdheu duhet të bëjë më shumë për qytetarët. Çdo njëri prej jush ka bërë gjithçka për atdheun e tij, tani është koha kur ai të bëjë për ju. Sipas njohurive që i kemi, situata në shumë fusha është afër vdekjes klinike, institucionet janë në kolaps. Ne do të përgjigjemi me vendosmëri dhe do të njoftojmë opinionin për gjithçka. Nuk do të kërkoj 100 ditë muaj mjalti. Investimet do të fillojnë menjëherë, që të martëm do të investojmë më shumë se 400 milionë euro”, tha Mickoski. Ai ka thënë se ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar nuk do të ketë derisa ai të jetë kryeministër.
Kasami: Koha është për veprim
Pas votimit të qeverisë së re, kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, partia e të cilit është futur në koalicionin qeveritar, ka deklaruar se ndryshimi erdhi dhe se shqiptarët u çliruan nga regjimi i kaluar – ndërsa tani është koha për veprim.
“Kuvendi votoi anëtarët e qeverisë së re, të cilën qytetarët e zgjodhën më 8 maj. Tani nuk kemi kohë për të humbur, na pret shumë punë. Qytetarët presin jetë më të mirë, investime të cilat do të zhvillojnë ekonominë, do të ketë paga më të larta, investime infrastrukturore dhe të ardhme të sigurtë”, ka thënë Bilall Kasami.
Opozita ka adresuar një sërë kritikash
Deputetët e LSDM-së dhe të Majtës votuan kundër Qeverisë, ndërsa Fronti Evropian e ka lëshuar seancën pak para votimit të qeverisë. Blerim Bexheti, koordinator i grupit parlamentar nga Fronti Evropian ka thënë se nuk votuan qeverinë e re sepse ajo “nuk ka legjitimitet nga komunitetet etnike”. Nga LSDM-ja opozitare u dëgjuan shumë kritika për mospërfilljen e dinjitetit dhe emrit të shtetit.
“Nëse zgjedhjet e fituara nga VMRO-DPMNE për dikë do të thonë shpresë, tani ende pa u akomoduar në qeveri mund të konstatojmë se shpresa vetëm se ka ikur. Është e pakuptueshme se si për vetëm disa ditë janë shkelur shumë çështje. Nuk përmendet emri i shtetit, dinjiteti dhe e ardhmja e shtetit”, ka deklaruar Sonja Llukarevska, deputete e LSDM-së.
Nga opozita maqedonase thonë se përbërja e qeverisë pasqyron numrin minimal të grave në qeveri dhe “kjo vetëm sa konfirmon mizogjininë e rrënjosur në partinë në pushtet”.
“Më shumë ministri dhe më pak gra, kuadro të ish-kryeministrit Gruevski, ministra anonimus. Është pak hipokrite të flisni për interesa strategjike të vendit ndërsa kandidat për ministër të jetë ndjekës i regjimit të Putinit”, ka thënë deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska. /DW
Fraksion.com