AktualitetBota+Të fundit

CSU: Të kthehen në atdhe refugjatët e papunë ukrainas

CSU po ashpërson kursin në politikën e migracionit. Lideri grupit parlamentar Alexander Dobrindt kërkon që ukrainasit të fillojnë punë në Gjermani ose të kthehen në shtëpi në zona të sigurta të Ukrainës.

CSU, Bashkimi Krisjansocial, parti simotër e CDU-së, ka bërë thirrje që refugjatët ukrainas të luftës të kthehen në vendin e tyre të origjinës, nëse nuk gjejnë punë në Gjermani. “Më shumë se dy vjet pas fillimit të luftës, duhet të zbatohet parimi: fillim i punës në Gjermani ose kthim në zonat e sigurta të Ukrainës perëndimore,” tha kreu i grupit parlamentar të CSU-së, Alexander Dobrindt për gazetën Bild am Sonntag.

SPD dhe të Gjelbërit e kritikuan ashpër këtë kërkesë. Zëvendëskryetari i grupit parlamentar të SPD, Dirk Wiese, i tha gazetës se presidenti rus Vladimir Putin bombardon vazhdimisht objektiva në të gjithë Ukrainën. “Dobrindti tani dëshiron të kthejë atje gra dhe fëmijë, që mund të kenë humbur prindërit e tyre në front,” tha Wiese. “CSU-së duhet t’i vijë turp për kërkesa të tilla dhe duhet ta heqë njëherë e mirë C-në për E Krishterë nga emri i saj”.

Nouripour: “Pengesat ligjore nuk ndihmojnë, por dëmtojnë”

Bashkëkryetari i të Gjelbërve, Omid Nouripour tha: “Insinuata se ukrainasit vijnë tek ne për të marrë kompensimin financiar për qytetarin nuk merr parasysh tmerrin e luftës së Putinit”. Nouripouri hodhi poshtë edhe propozimet e CDU/CSU për të mos u dhënë menjëherë ukrainasve kompensimin për qytetarin, por për t’i kaluar agta së pari në procedurën e zakonshme të azilit. “Sigurisht që ne duhet t’u mundësojmë ukrainasve që të punojnë edhe më shpejt,” tha ai. “Por pengesat e reja ligjore, siç dëshiron CDU, nuk ndihmojnë, por dëmtojnë”.

Disa ministra të Brendshëm të landeve gjermane kohët e fundit kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund dhënies së kompensimit të qytetarëve refugjatëve të luftës nga Ukraina dhe që atyre t’u jepen vetëm pagesa më të ulëta sipas Ligjit të Përfitimeve të Azilkërkuesve. Qeveria gjermane tashmë e ka refuzuar këtë.

SPD: “Marrëzi populiste”

Dobrindt u bashkua me kritikat për rregullorat aktuale. Sipas politikanit të CSU-së, kompensimi i qytetarëve u konceptua si ndihmë e shpejtë në fillimin e luftës ruse të agresionit kundër Ukrainës, por prej kohësh ai është kthyer në një frenim për të punuar. Ai i ka mbajtur shumë njerëz nga Ukraina në ndihmë sociale.

Martin Rosemann, politikan i SPD i specializuar në tregun e punës, theksoi gjithashtu në Bild am Sonntag se shumë nga refugjatët ukrainas janë nëna që i rrisin të vetme fëmijët: “Pengesat për refugjatët ukrainas që të fillojnë të punojnë janë mungesa e çerdheve, mungesa e njohurive të gjermanishtes dhe vështirësia në njohjen e kualifikimeve profesionale”. Ai e cilësoi propozimin për kalimin e tyre nga kompensimi i qytetarit në procedurën e azilit si “marrëzi populiste”./DW

 

Fraksion.com