Seuli thërret ambasadorin rus mes rritjes së tensioneve me Phenianin
Koreja e Jugut thirri të premten ambasadorin rus në shenjë proteste ndaj marrëveshjes në fushën e mbrojtjes mes Moskës dhe Phenianit, ndërsa tensionet mes dy Koreve janë shtuar.
Më herët, gjatë ditës, motra me ndikim e kreut të Koresë së Veriut Kim Jong Un lëshoi një kërcënim të paqartë se Pheniani do të kundërpërgjigjej, pasi aktivistë koreano-jugorë lëshuan përtej kufirit fletëpalosje me përmbajtje propagandistike kundër Koresë së Veriut. Ushtria e Seulit njoftoi se trupat e saj qëlluan në mënyrë paralajmëruese të enjten, për të zmbrapsur ushtarët e Koresë së Veriut, të cilët kishin kaluar kufirin, për të tretën herë me radhë gjatë këtij muaji.
Këto zhvillime shënohen dy ditë pasi Moska dhe Pheniani nënshkruan një marrëveshje që përfshin ndër të tjera zotimin e palëve për të ndihmuar njera tjetrën në rast të një sulmi dhe një ditë pasi Seuli reagoi duke paralajmëruar se po shqyrton mundësinë për të furnizuar me armë Ukrainë për t’u mbrojtur ndaj agresionit rus.
Zëvendës Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Kim Hong Kyun thirri ambasadorin rus Georgy Zinoviev në shenjë proteste ndaj marrëveshjes mes presidentit rus Vladimir Putin dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe i kërkoi Moskës të ndërpresë menjëherë bashkëpunimin ushtarak me Phenianin. Diplomati i Seulit vuri në dukje se çdo formë bashkëpunimi që ndihmon në mënyrë të drejpërdrejtë apo indirekte Korenë e Veriut për të forcuar kapacitetet e saj ushtarake përbën shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, paraqet kërcënim për sigurinë e Koresë së Jugut dhe paralajmëroi për pasoja në marrëdhëniet mes Seulit dhe Moskës.
Sipas një njoftimi në rrjetin Twitter të ambasadës ruse në Seul, ambasadori rus Zinoviev u tha zyrtarëve të Koresë së Jugut se çdo përpjekje për të “kërcënuar apo frikësuar”Rusinë ishte e papranueshme dhe se marrëveshja mes vendit të tij dhe Koresë së Veriut nuk kishte si synim asnjë vend të tretë.
Ministria e Koresë së Jugut tha se ambasadori rus u zotua se do t’ia përcillte Moskës shqetësimet e Seulit.
Sipas mediave shtetërore të Koresë së Veriut, bazuar në marrëveshjen e firmosur mes zotit Putin dhe zotit Kim, dy vendet angazhohen të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për t’i ofruar njera tjetrës ndihmë të menjëhershme ushtarake në rast lufte./VOA
Fraksion.com