James Rubin: Qëllimi afatgjatë i normalizimit Kosovë-Serbi nënkupton njohjen
I dërguari i posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhimin Global të Departamentit të Shtetit James Rubin i tha Zërit të Amerikës se është vështirë të imagjinohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje. Zyrtari i lartë amerikan, i cili luajti një rol të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovës, thotë se aktualisht ka shqetësime për mënyrën se si qeveria e Kosovës po luan rolin e saj në aspektin diplomatik, duke mos përmbushur kërkesën për krijimin e asociacionit. Në një intervistë me kolegen Garentina Kraja, zoti Rubin flet edhe për shqetësimet lidhur me fushatën e dezinformacionit të përhapur nga Rusia dhe Kina në Ballkanin Perëndimor.
Zëri i Amerikës: Zoti Rubin, Departamenti amerikan i Shtetit kohët e fundit njoftoi për një nismë të përbashkët me Bashkimin Evropian për të luftuar dezinformimin dhe propagandën ruse dhe kineze në Ballkanin Perëndimor. Me çfarë sfide po përballeni?
James Rubin: Dezinformimi dhe manipulimi i informacionit janë një prej kërcënimeve më të mëdha të epokës tonë dhe Perëndimit i është dashur kohë për ta kuptuar shkallën e luftës informative që Rusia dhe Kina kanë zhvilluar kundër nesh. Prandaj na duhet të punojmë më shumë për t’u mbrojtur nga ky kërcënim. Nisma për Ballkanin Perëndimor synon të ndihmojë shtetet e Ballkanit, ato që duan të anëtarësohen në BE, që po punojnë për të përmbushur standardet e BE-së, për të hartuar procedura, politika, plane, për të ngritur kapacitetet, pra po hartojmë atë që e quajmë korniza për të luftuar informacionin e huaj. Kemi nënshkruar memorandume bashkëpunimi me disa shtete të Ballkanit për t’i ndihmuar që të ballafaqohen me këtë sfidë.
Rusia e përdor dezinformimin në gjithë botë, por në veçanti në Ballkanin Perëndimor. Ata po operojnë përmes (agjencisë ruse të lajmeve) ‘Sputnik Serbia’, përmes ‘RT Serbia’ që fatkeqësisht ende vazhdon të transmetojë . Dhe për shkak se shumë shtete flasin të njejtën gjuhë në Ballkanin Perëndimor, këto lloj informatash përdoren, ripërdoren dhe manipulohen.
Po përpiqemi t’i ndihmojmë shtetet e rajonit të mbrohen ndaj tyre, duke patur parasysh që të gjitha ato duan të anëtarësohen në BE duhet të përmbushin standardet e BE-së dhe një prej tyre është parandalimi i manipulimit të informacionit në vendet e tyre. Po përpiqemi t’i ndihmojmë të bëhen gati për këtë dhe në proces e sipër shpresojmë që ato do të përmirësojnë bashkëpunimin me njëra-tjetrën.
Zëri i Amerikës: Ekspertët rajonalë thonë se Ballkani Perëndimor është projekt i papërfunduar dhe se Rusia po shfrytëzon tensionet që mbretërojnë për t’u forcuar. A është rajoni një fushëbetejë ku Rusia dhe Perëndimi po luftojnë për mendjet dhe zemrat e njerëzve?
James Rubin: Nuk mendoj që bëhet fjalë për betejë. Vlerat e Perëndimit, vlerat e Shteteve të Bashkuara besoj që dominojnë në Evropë dhe në shtetet që duan të jenë pjesë e Evropës. Fatkeqësisht Rusia vazhdon të përpiqet të përdorë problemet mes Kosovës dhe Serbisë duke kërcënuar t’i vërë veton anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara përmes pretendimeve të rreme se gjoja Kosova mund bëhet shtet terrorist. Rusia përdor lloj-lloj formash të tjera dezinformuese për t’i mohuar Kosovës anëtarësimin në Interpol, UNESCO dhe hapa të tjerë.
Rusia përpiqet të fusë përçarje, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara, së bashku me miqtë dhe aleatët tanë, po përpiqemi t’i tejkalojmë ditë e tmerrshme të së kaluarës, ndërkohë që rusët bëjnë përpjekje t’i mbajnë ato gjallë.
Zëri i Amerikës: Kosova sapo shënoi 25 vjetorin e çlirimit dhe përfundimit të luftës. Ju luajtët rol thelbësor për t’i dhënë fund atij konflikti. A mund të ndani me ne mendimet tuaja? A ishte ndërhyrja e NATO-s vendimi i duhur?
James Rubin: Mendoj se nuk ka dyshim që NATO-ja mori një vendim të fuqishëm për të parandaluar gjenocidin e mundshëm ndaj popullit të Kosovës. Operacioni që ne ndërmorëm ishte i suksesshëm. Ëërmbushëm qëllimet tona. Forcat serbe u larguan nga Kosova, Kosova u bë shtet demokratik, i pavarur me vlera demokratike, një vend mik i Shteteve të Bashkuara, një partner i afërt i Shteteve të Bashkuara dhe e tëra u arrit duke rrezikuar në minimum jetët e amerikanëve. Presidenti Biden ishte përkrahës i qartë i luftës në Kosovë dhe arsyes përse e ndërmorëm atë. Jam shumë krenar për rolin që kam luajtur duke përkrahur zonjën Madeleine Albright dhe Presidentin Bill Clinton, për të ndihmuar në çlirimin e popullit të Kosovës, për ta shpëtuar nga vrasja në masë.
Por dua ta bëj të qartë se unë sot po flas me ju si zyrtar i administratës së Presidentit Biden dhe ajo çfarë kam bërë, apo nuk kam bërë para 25 vitesh, nuk e ndryshon atë që them si zyrtar i administratës së Presidentit Biden. Komentet e mia përfaqësojnë politikën e administratës së Presidentit Biden. Do të kërkoja atë mirëkuptim që ne i japim Presidentit të Serbisë, i cili ka luajtur rol të madh në qeverinë e Millosheviçit, por ne nuk ia ngrejmë atij këtë çështje. Nuk fakt nuk ia përmendim kur takohemi me të. Por fatkeqësisht ka njerëz në Serbi, që sa herë unë flas në emër të administratës së Presidentit Biden, e lidhin me 25 vite më parë. Kërkoj të njëjtin mirëkuptim siç ia japim edhe ne presidentit të Serbisë në këtë aspekt.
Zëri i Amerikës: Sot, marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës kanë kaluar nëpër momente tensionesh gjatë këtij viti dhe sipas vëzhguesve, ato janë në pikën më të ulët. Si e shihni situatën aktuale?
James Rubin: Qartazi ka shqetësime për mënyrën se si qeveria aktuale ka vepruar në aspektin diplomatik duke mos përmbushur (kërkesën) për krijimin e asociacionit. Por, thënë troç, jemi miq, jemi miq të mirë. Kjo është dëshmuar kur kam qënë në Kosovë, kur sekretarët e shtetit kanë vizituar Kosovën, kur Presidenti Clinton shkoi atje… populli i Kosovës dhe populli i Shteteve të Bashkuara nuk ka si të jenë më të afërt dhe nuk mendoj se ka dilemë rreth kësaj çështjeje. Por, po, në aspektin diplomatik, marrëdhëniet nuk janë aq të mira aktualisht, por kjo ndodh për shkak se çështja Kosovë-Serbi vazhdon të jetë barrë për banorët e rajonit.
Zëri i Amerikës: A ka ardhur koha për një strategji të re të Perëndimit, për një fillim të ri në dialogun Kosovë Serbi, tani që dërguarit e rinj posaçëm ende nuk janë emëruar?
James Rubin: Miku im i ngushtë Jim O’Brien është Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe i kam premtuar se nuk do të ndërhyj në punën e tij. I takon atij të vendosë, të përcaktojë politikën amerikane në Ballkan. Përgjigjen ndaj kësaj pyetje do t’ia lë atij, por dua të shtoj se tek fusha e informacionit, ku unë luaj rolin tim dhe ku Jim O’Brien dhe unë punojmë së bashku, dëshirojmë të shohim një fushë informacioni në Ballkanin Perëndimor të lirë nga dezinformimi rus, të lirë nga manipulimi kinez i informacionit dhe për këtë qeveria e Serbisë duhet të bëjë ndryshime.
Zëri i Amerikës: Cili është synimi përfundimtar i procesit të dialogut, i procesit të normalizimit? Në Kosovë Ambasadori Hovenier thotë se qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja e ndërsjellë. Në Serbi, Ambasadori Hill thotë se njohja nuk është kusht i BE-së si pjesë e këtij procesi. Cili është synimi përfundimtar?
James Rubin: Nuk do të dëshiroja të futesha në mes të dy ambasadorëve, por mund të them se qëndrimi amerikan është që qëllimi afatgjatë i normalizimit nënkupton njohje. Është vështirë të imagjinosh normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje dhe fakti që disa shtete të tjera që janë pjesë e BE-së, nuk e njohin Kosovën, nuk ka lidhje me qëndrimin amerikan. Kosova dhe Serbia kanë probleme. Probleme duhet të zgjidhen. Ato duhet të normalizojnë marrëdhëniet. Ky është kuptimi i standardeve të BE-së. Si amerikanë ne nuk i themi Bashkimit Evropian se çfarë duhet të bëjë. Prandaj pikëpamjet e ambasadorëve amerikanë për atë mendon BE-ja nuk janë të rëndësishme. Me rëndësi është cili është qëndrimi ynë dhe qëndrimi ynë është të propozojmë që normalizimi të përfshijë njohjen e ndërsjellë të dy vendeve.
Zëri i Amerikës: Në kohën që bota është përfshira nga trazira të shumta, kur po sfidohet rendi botëror i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe kur demokracitë po sprovohen në baza ditore, cila është e ardhmja e shteteve si Kosova?
James Rubin: Në Kosovë nuk ka mëdyshje. Unë kam qënë atje. Nuk i shoh Rusinë dhe Kinën të shtrijnë ndikimin në Kosovë. Populli i Kosovës kanë bërë përparim shumë të madh. Isha atje gjatë ditëve dhe kapitujve më të errët për të. E kam parë zhvillimin e saj nga një zonë lufte me qytete të shkatërruara në një vend që tani duket si çdo qytet tjetër modern evropian. Nuk shqetësohem aspak se për cilat vlera do të përcaktohet populli i Kosovës, për vlerat demokratike të Amerikës, apo të shteteve autoritare që dëshirojnë të ndryshojnë sistemin ndërkombëtar. Nuk ka garë. Populli i Kosovës është pro-amerikan.
Zëri i Amerikës: Dhe në fund, a keni ndonjë gjë tjetër për të shtuar?
James Rubin: Jo, por do të shtoja, se shpesh është vështirë që kur diplomacia bllokohet, të arrish të vlerësosh përparimin e madh që është shënuar. I bëj thirrje popullit të Kosovës ta kuptojë sa shumë ka përparuar në këto 25 vite nga një periudhë kur jeta e njerëzve ishte në rrezik tek një periudhë e lirive bazike, me demokraci që funksionon, ekonomi që po shënon përmirësim dhe mundësinë reale për t’u bashkuar me BE-në që varet nga ata vetë, nga qeveria e tyre, që tani mund ta zgjedhin vetë fatin e tyre. Si zyrtar amerikan, ne do të sigurohemi që ata të jenë në gjendje të vendosin për veten e tyre. Por ata duhet ta bëjnë zgjedhjen dhe ne shpresojmë se do ta bëjnë./VOA
Fraksion.com