AktualitetPolitikëTë fundit

Begaj takon kryebashkiakun Tschentscher: Tërheqje e investimeve nga Hamburgu

Presidenti Bajram Begaj u prit sot në një takim nga kryetari i parë i bashkisë së Hamburgut, Peter Tschentscher.

Ky takim u vlerësua nga Presidenti Begaj si një sinjal pozitiv, që evidenton interesin për rritjen e nivelit të dialogut politik me Landin e Hamburgut, si dhe zgjerimin e mundësive të reja të bashkëpunimit.

Presidenti i Republikës vlerësoi marrëdhëniet e Shqipërisë me Landet e Republikës Federale të Gjermanisë, si Bavaria, North Rhine Whestphalen dhe tani me Hamburgun.

Gjatë bisedës u vlerësua mbështetja që Gjermania dhe Landet e veçanta tregojnë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Po ashtu, në takim u nënvizua nevoja e shtimit të kontakteve dhe vizitave të ndërsjella, përfshi shkëmbimin e vizitave ndërparlamentare me Parlamentin e Hamburgut, apo midis ministrive të ndryshme.

Me këtë rast, Presidenti Begaj ftoi Tschentscher për një vizitë në Shqipëri, ku do të diskutohen projekte konkrete të bashkëpunimit.

Ndër fushat e bashkëpunimit u nënvizuan tërheqja e investimeve nga Hamburgu, arsimi profesional, transporti detar dhe porti i ri i Durrësit, smart city, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, binjakëzimi me qytete shqiptare, etj.

Në takim u diskutua edhe për integrimin e komunitetit shqiptar në Hamburg dhe ndihmën e dhënë nga bashkia për shoqatat që nxisin mësimin e gjuhës amtare për fëmijët shqiptarë.

Në këtë takim Presidenti i Republikës u shoqërua nga ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë, Adia Sakiqi, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, dhe deputeti Ferdinand Xhaferri.

 

Fraksion.com