AktualitetBota+Të fundit

Pheniani: Forcimi i bashkëpunimit strategjik, temë kryesore e takimit Putin-Kim

Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ranë dakord për thellimin e marrëdhënieve mes vendeve të tyre, gjatë një takimi në ditën e parë të vizitës së Putinit në Phenian të mërkurën, thuhet në një njoftim të medias shtetërore të Koresë së Veriut.

Kim Jong Un e priti Putinin në aeroportin e Phenianit, duke i shtrënguar dorën, duke u përqafuar dhe duke biseduar me të pranë avionit të udhëheqësit rus. Më pas, ata hipën në të njëjtën makinë dhe shkuan së bashku në hotelin, ku do të qëndrojë udhëheqësi rus.

Kjo është vizita e parë e Putinit në Korenë e Veriut në 24 vjet, gjatë të cilës ai është zotuar të thellojë lidhjet tregtare dhe ushtarake me shtetin e izoluar, që ka armë bërthamore dhe ta mbështesë atë kundër Shteteve të Bashkuara.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Koresë së Veriut “KCNA”, takimi mes dy udhëheqësve është shenjë e një miqësie dhe uniteti të “pamposhtur dhe të qëndrueshëm” mes Koresë së Veriut dhe Rusisë.

Marrëdhëniet mes Koresës së Veriut dhe Rusisë po “shndërrohen në një kështjellë të fortë strategjike për mbrojtjen e drejtësisë, paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe në një motor për përshpejtimin e ndërtimit të një bote të re shumëpolare”, tha agjencia e lajmeve “KCNA”.

Zyrtarët në Uashington dhe Seul thonë se Koreja e Veriut e ka furnizuar Rusinë me armë për ta ndihmuar luftën e saj në Ukrainë.

Moska dhe Pheniani kanë mohuar transferimin e armëve, por janë zotuar të rrisin lidhjet ushtarake, që mund të përfshirë mbajtjen e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake.

Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti në Korenë e Veriut herët të mërkurën, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve, disa orë pasi ai tha se të dy vendet duan të bashkëpunojnë ngushtë për të tejkaluar sanksionet e vendeve perëndimore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenit rus Putin, para udhëtimit të tij të parë në Korenë e Veriut në 24 vjet, tha se ai e vlerësonte mbështetjen e Phenianit për operacionet e Moskës në Ukrainë. Kremlini nisi një sulm në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në vitin 2022.

Ai tha se dy vendet do të vazhdojnë të “kundërshtojnë me vendosmëri” ato që i quajti ambicie perëndimore “për të penguar vendosjen e një rendi botëror shumëpolar të bazuar në drejtësi, respektin e ndërsjellë për sovranitet dhe interesat e njëri-tjetrit”.

Vizita e zotit Putin vjen mes shqetësimeve në rritje për një marrëveshje armësh, që do të siguronte furnizimin e Moskës nga Phenani me municione të nevojshme për luftën e Rusisë në Ukrainë në këmbim të ndihmës ekonomike dhe transferimeve të teknologjisë. Ekspertët thonë se kjo do të rriste kërcënimin nga programi i armëve bërthamore dhe ai i raketave me rreze të gjatë veprimit të Koresë së Veriut.

Zoti Putin tha gjithashtu se Rusia dhe Koreja e Veriut do të zbatojnë marrëveshje tregtie dhe sisteme pagesash që “nuk kontrollohen nga Perëndimi” dhe se së bashku do të kundërshtojnë sanksionet e vëna ndaj dy vendeve, të cilat i cilësoi “të paligjshme dhe të njëanshme”.

Koreja e Veriut po përballet me sanksione të ashpra ekonomike nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për shkak të programeve të saj të raketave dhe armëve bërthamore, ndërsa Rusia po përballet me sanksionet e vëna nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj Perëndimorë për shkak të agresionit kundër Ukrainës.

Në rruget e kryeqytetit të Koresë së Veriut, Phenian, janë vendosur portrete të Putinit dhe flamuj rusë. Një pankartë në një ndërtesë thoshte: “Ne mirëpresim ngrohtësisht Presidentin e Federatës Ruse”.

Presidenti Putin tha se dy vendet do të zgjerojnë bashkëpunimin edhe në fushën e turizmit, kulturës dhe arsimit./voa

 

Fraksion.com