AktualitetBota+Të fundit

“Nuk jam i interesuar ta përdorë për arsye politike”, Biden: Rreth 500 mijë emigrantë të paligjshëm mund të përfitojnë nga plani i ri

Presidenti Joe Biden njoftoi të martën një masë të re për t’u siguruar një rrugë drejt nënshtetësisë amerikane qindra mijëra emigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara, të cilët janë martuar me shtetas amerikanë, një lëvizje në këtë vit zgjedhor, që bie ndesh me planin e rivalit të tij republikan Donald Trump për dëbime masive.

Gjatë njoftimit që e bëri në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Biden kritikoi zotin Trump për ndarjen e familjeve emigrante në kufirin SHBA-Meksikë dhe përdorimin e gjuhës së rëndë ndaj emigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë komentet se ata po “helmonin gjakun e vendit tonë”.

“Është e vështirë të besohet që kjo gjuhë po përdoret, por ai në fakt po i thotë këto gjëra me zë të lartë. Dhe kjo shakton indinjatë”, tha zoti Biden. “Unë nuk jam i interesuar ta përdorë për arsye politike gjendjen në kufi apo emigracionin. Unë jam i interesuar ta rregulloj atë.”

Programi do të jetë i hapur për rreth 500 mijë bashkëshortë që kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara për të paktën 10 vjet nga data 17 qershor, thuhet në deklaratat e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare të lëshuara të martën. Rreth 50 mijë fëmijë nën moshën 21 vjeç me një prind shtetas amerikan gjithashtu do të përfitojnë nga kjo masë.

Presidenti demokrat Joe Biden, i cili është në garë për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, kur mori detyrën u zotua se do të përmbyste shumë politika kufizuese të imigracionit të paraardhësit të tij Donald Trump, i cili gjithashtu është në garë për postin e presidentit të vendit. Por, duke marrë parasysh nivelet rekord të arrestimeve të emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë, zoti Biden filloi të ashpërsonte qasjen e tij ndaj emigracionit të paligjshëm në muajt e fundit.

Në fillim të këtij muaji, Presidenti Biden nëshkruajti një urdhër ekzekutiv, që kufizon përkohësisht të drejtën për të kërkuar azil në kufirin SHBA-Meksikë sa herë që numri i emigrantëve që kalojnë në mënyrë të paligjshme ose pa autorizim arrin një mesatare ditore prej 2500 vetësh.

Sipas urdhrit ekzekutiv të Presidentit Biden, ata që hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme nuk do të kenë të drejtë për azil nëse nuk kanë arsye të jashtëzakonshme për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara. Kjo politikë është e ngjashme me kufizimet ndaj azilit të vendosura gjatë mandatit të Presidentit Trump dhe u prit me kritika nga mbështetësit e imigracionit dhe disa demokratë.

Programi i planifikuar i Presidentit Biden për legalizimin e bashkëshortëve të shtetasve amerikanë mund të përforcojë mesazhin e tij të fushatës se ai mbështet një sistem më njerëzor të imigracionit dhe se dallon nga zoti Trump, i cili për një kohë të gjatë ka mbajtur një qëndrim të ashpër kundër imigracionit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm.

Shtetet e Bashkuara tashmë ofrojnë një rrugë drejt shtetësisë për emigrantët që janë martuar me shtetas amerikanë dhe kanë hyrë në vend në mënyrë të ligjshme me një vizë. Por në shumicën e rasteve, ata që hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme duhet së pari të kthehen në vendin e tyre për vite me radhë përpara se të lejohen të kthehen në vend në mënyrë të ligjshme.

Personat që konsiderohen si kërcënim ndaj sigurisë publike ose që kanë një histori kriminale nuk do të kualifikohen për këtë program.

Zbatimi i kësaj mase do të fillojë në muajt e ardhshëm dhe shumica e atye që do të kualifikohen do të jenë meksikanë, thanë zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Biden./VOA

 

Fraksion.com