AktualitetTë fundit

“Dalin nga lista e zezë”, Memorandumi i Parisit: Anijet shqiptare pa risk të lartë lundrimor

Pas përfundimit të punimeve të mbledhjes së 57-të Komitetit të Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit, flamuri shqiptar ka dalë nga lista e zezë si rezultat i raportit pozitiv të inspektimeve dhe ndalimeve të anijeve me flamur shqiptar në portet e vendeve të Bashkimit Evropian.

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se tashmë çdo anije që mban flamurin shqiptar nëse do të prekë një port të një shteti anëtar të Memorandumit të Parisit dhe Bashkimit Europian, do të paraqitet si anije pa risk të lartë lundrimor.

Lista e bardhë, gri dhe e zezë (WGB)” paraqet spektrin e plotë, nga flamujt cilësorë te flamujt me performancë të dobët që konsiderohen me rrezik të lartë ose shumë të lartë.

Ai bazohet në numrin e përgjithshëm të inspektimeve dhe ndalimeve gjatë një periudhe 3-vjeçare rrotulluese për flamujt me të paktën 30 inspektime në atë periudhë.

“Urime administratës së flamurit në Drejtoria e Përgjithshme Detare dhe gjithë kolegëve që kontribuan për këtë arritje falë një plani masash të rrepta dhe konsistente këto tre vite. Mirënjohje dhe Transport Community për gjithë mbështetjen dhe orientimet kuptimplota”, shprehet në reagim Autoriteti Portual Durrës.

Fraksion.com