AktualitetTë fundit

Gjykata e Posaçme e Apelit mbyll shqyrtimin për Fredi Belerin, vendimi më 25 qershor

Gjykata e Posaçme e Apelit, pas dëgjimit të palëve, mbylli të premten seancën për Fredi Belerin dhe Pandeli Kokaveshin dhe njoftoi se seanca për dhënien e vendimit do të mbahet më 25 Qershor.

Kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri është dënuar nga Gjykata e Posaçme e shkallës së parë me 2 vite burg për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe Pandeli Kokaveshi me 1 vit e 6 muaj burg dhe të dy kishin kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit rrëzimin e vendimit dhe shpalljen e tyre të pafajshëm.

Gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme të Apelit, avokatja mbrojtëse e Fredi Belerit ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares kryesuese, Daniela Shirka, pasi sipas saj nuk ishte e zgjedhur me short, por prokurori Adnand Xholi deklaroi se është një kërkesë që nuk e pezullon procesin gjyqësor dhe seanca duhet të vijonte.

Gjithashtu mbrojtja e Belerit ka parashtruar në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit se provat për blerjen e votave nga Fredi Beleri janë të manipuluara nga policia dhe se dëshmitari nuk ka qenë në Himarë por në Vlorë.

“Ne kemi prova që dëshmitari ka qenë në Vlorë dhe jo në Himarë, por gjykata bazohet në vendim te konkluzioni i prokurorisë”, tha avokatja.

Por prokurori Adnan Xholi deklaroi në seancë se nga provat vërtetohet që Beleri i ka ofruar para dëshmitarit, të cilat do ti ofroheshin më pas personave që ai do të gjente për t`i blerë votën.

Sipas prokurorit Adnan Xholi pretendimet se dëshmitari nuk ka qenë në Himarë, por në Vlorë janë të pambështetura në prova.

Ndërsa mbrojtja ka kërkuar në përfundim të parashtrimeve të saj hedhjen poshtë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë, prokurori ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit.

Fredi Beleri, i pranishëm në seancë, tha se ishte i pafajshëm dhe se ishte arrestuar me urdhër të kryeministrit Rama.

Kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës Fredi Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, nën dyshimet për blerje votash.

Ai ishte kandidati i opozitës në Himarë, dhe doli fitues me një diferencë të ngushtë votash ndaj kandidatit socialist Jorgo Goro.

Rasti i zotit Beleri, kandidat i opozitës në zgjedhjet vendore dhe përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila mbron interesat e minoritetit grek, ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Fillimisht Athina zyrtare kërkoi lirimin e tij, duke pretenduar shkelje të të drejtave të minoritetit.

Më pas foli për shkelje të të drejtave politike, duke këmbëngulur që zotit Beleri duhej t’i jepej e drejta për të bërë betimin.

Kërkesat e kryebashkiakut të zgjedhur, për t’i mundësuar atij këtë gjë, janë hedhur poshtë nga gjykatat shqiptare, ndërkohë që autoritetet e vendit i janë përmbajtur qëndrimit se çështja i përket drejtësisë dhe se ata nuk mund të ndërhyjnë.

Aktualisht Bashkia e Himarës drejtohet nga një nga nënkryetarët e caktuar nga Këshilli i Bashkisë pasi edhe kryetari në detyrë Jorgo Goro është arrestuar nga Prokuroria e Posaçme nën dyshimet se përmes dokumentave të falsifikuara ka lejuar rregjistrimin e parregullt të dy pasurive të patundshme në bregdet.

Ndërkohë, pak ditë më parë Fredi Beleri u zgjodh eurodeputet i Greqisë për Parlamentin Evropian i përfshirë në listën e Partisë “Demokracia e re” të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.

Legjislacioni shqiptar parashikon se një kryetar bashkie nuk mund të mbajë funksione të tjera dhe nëse Fredi Beleri shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Posaçme e Apelit ai duhet të zgjedhë mes postit të eurodeputetit dhe kryetarit të Bashkisë së Himarës.

Por nëse dhe Apeli do të konfirmojë dënimin e tij, atëherë ai praktikisht humbet mundësinë për të drejtuar Bashkinë e Himarës, ku do të duhet të shpallen zgjedhje të parakohshme.

Kostituimi i zotit Beleri si eurodeputet do t’i nënshtrohet rregullave të Bashkimit Evropian. Sipas rregullores së Parlamentit Evropian, përpara se të mblidhet seanca e parë e Parlamentit, bëhet verifikimi i eurodeputetëve të rinj.

Rregullorja e Parlamentit Evropian, përcakton se pasi rezultatet e zgjedhjeve të jenë zyrtare, shtetet anëtare komunikojnë emrat e atyre që kanë fituar një vend në Parlamentin Evropian dhe presidenti, nga ana tjetër, u kërkon autoriteteve përgjegjëse të vendeve anëtare të marrin masat e nevojshme për të shmangur çështjet që lidhen me papajtueshmërinë e marrjes së detyrës.

Zoti Beleri bën dallim nga eurodeputetët e tjerë pasi është zgjedhur në Greqi, një vend i Bashkimit Evropian dhe vuan dënimin me burg në Shqipëri, një vend që nuk është anëtar i BE-së.

Komisioni i Çështjeve Ligjore të Parlamentit Evropian kontrollon kredencialet e reja të deputetëve të Parlamentit Evropian duke marrë vendime bazuar në informacionin që ofrojnë shtetet anëtare.

 

Fraksion.com