Shkup, procesi i bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore
Në Shkup po mbahet takimi i nivelit të lartë i presidentëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shefave të diplomacive në kuadër të Procesit për Bashkëpunim Rajonal në Evropën Juglindore. Në takime u theksua nevoja e thellimit të bashkëpunimit në më shumë fusha, angazhimin drejt përmirësimit të sigurisë rajonale dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Shqipëria do ta drejtojë procesin gjatë viteve 2024–2025
Në përfundim të kryesimit me Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, Shkupi të enjten priti një pjesë të udhëheqësve të shteteve dhe qeverive të kësaj nisme dhe diplomatë.
Presidentët e Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës kanë arritur në Shkup si dhe ministrat e jashtëm të Turqisë, Greqisë dhe disa vendeve të tjera anëtare të Procesit. Në takimet dypalëshe janë shkëmbyer ide mbi të ardhmen evropiane dhe për sfidat politike dhe të sigurisë së rajonit.
Në takimin me zyrtarët e lartë të ministrive të Jashtme, shefi i diplomacisë maqedonase Bujar Osmani tha se Procesi i Bashkëpunimit ka dhënë rezultate mjaft të mira në shumë fusha, por se duhet të dyfishohen përpjekjet për anëtarësimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
“Asnjë alternativë nuk duhet ta zëvendësojë zgjerimin e BE-së. Për këto 20 vite të kaluara shtetet janë bërë më të qëndrueshme, të sigurta dhe me shoqëri përparimtare”, tha Bujar Osmani.
“Ne pjesëmarrësit në proces kemi dëshmuar se jemi në gjendje të ruajmë besimin e udhëheqjes me proceset dhe këtë e kemi ndërtuar dhe ngritur me anë të kësaj nisme rajonale”, shtoi ministri Osmani. Ai e cilësoi si sfidë zgjedhjen e sekretarit të ri të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ndërsa theksoi aftësitë e vendeve për të kapërcyer dallimet në favor të bashkimit dhe bashkëpunimit të frytshëm rajonal.
Kryesimin e radhës me Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore e merr Shqipëria.
Zyrtarja e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë tha se motoja e vendit të saj në drejtimin e pritshëm të Procesit është “formësimi i të ardhmes sonë evrlopiane”. Zonja Artemis Malo shtoi më tej se Tirana do t’i përkushtohet plotësisht përforcimit të bashkëpunimit rajonal si në aspektin e tregut të përbashkët, po ashtu edhe në proceset e integrimit evropian.
Amar Kapetanoviç nga Bosnja dhe Hercegovina e merr detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal nga zonja Majinda Bregu.
Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore është themeluar në vitin 1996 dhe përfshin 13 vende të rajonit; Ai ka për qëllim gjetjen e zgjidhjeve për problemet rajonale, forcimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore, ngritjen e dialogut dhe nxitjen e integrimit evropian të këtyre shteteve./VOA
Fraksion.com