AktualitetNATO/BETë fundit

NATO, diskutime në Bruksel për ndihmë afatgjatë për Kievin

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën të enjten në Bruksel me shpresën për të arritur një marrëveshje për një plan të ri për të ofruar ndihmë afatgjatë sigurie për Ukrainën, pas premtimeve të Hungarisë se nuk do të vërë veton ndaj planit, për sa kohë nuk është e detyruar të marrë pjesë në të.

Kjo është mbledhja e fundit e NATO-s para një takimi të nivelit të lartë të organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden që mbahet në Uashington muajin e ardhshëm, ku udhëheqësit e vendeve anëtare pritet të shpallin një plan për mbështetjen financiare për Ukrainën.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha të enjten se agresioni i Moskës kundër Kievit po hyn në një ‘fazë kritike’ dhe se mbijetesa e Ukrainës është nën kërcënim.

Zoti Austin i bëri këto komente në Bruksel, ku ministrat e mbrojtjes të aleancës së NATO-s po takohen në kuadër të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje mbi një plan të ri, për të ofruar ndihmë afatgjate për sigurinë dhe stërvitje ushtarake për Ukrainën. Takimi në Bruksel do të zgjasë dy ditë.

“Asnjëri nga ne nuk do të donte të jetonte në një botë ku mbizotëron Putini. Të gjithë do të ishim më pak të sigurt nëse tiranët mendojnë se mund të shkelin kufijtë dhe të kërcënojnë fqinjët e tyre. Kemi shumë për të bërë, por kam besim se ky koalicion do të vazhdojë të jetë në lartësinë e duhur përballë kësaj sfide”, tha sekretari Austin.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u tha gazetarëve para takimit se forcave të armatosura të Ukrainës, që ndodhen në një situatë të vështirë, u duhet ndihmë afatgjatë.

Ai tha se ky takim është pjesë e përpjekjeve për të shmangur rreziqet nga mangësitë dhe vonesat e mbështetjes ushtarake për Kievin.

Trupat ruse kanë intensifikuar sulmet përgjatë vijës së frontit që shtrihet në më shumë se 1 mijë kilometra, duke përfituar nga një vonesë e gjatë e ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara në fillim të këtij viti.

Edhe ndihmat nga Bashkimi Evropian janë penguar për shkak të problemeve të brendshme politike.

“Kjo është një nga arsyet pse rusët po arrijnë të përparojnë dhe të pushtojnë më shumë tokë në Ukrainë. Prandaj Ukraina ka nevojë për plane dhe angazhim afatgjatë dhe ne gjithashtu duhet të jemi më të përgjegjshëm”, tha zoti Stoltenberg.

Ai mbrojti sërish të drejtën e Ukrainës për të goditur objektiva brenda Rusisë me armët e dhuruara nga aleatët perëndimorë.

“Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, do të ishte si t’u kërkonim që të përpiqeshin të mbroheshin, të zbatonin të drejtën për t’u vetëmbrojtur, me një dorë të lidhur pas shpine”, u tha zoti Stoltenberg gazetarëve në Bruksel.

Shanset për arritjen e një marrëveshje janë rritur pasi Hungaria premtoi se nuk do vërë veton ndaj planit të ri, për sa kohë nuk është e detyruar të marrë pjesë në të.

Ky është takimi i fundit i nivelit të lartë i NATO-s, para takimit të thirrur nga Presidenti amerikan Joe Biden në Uashington muajin e ardhshëm, ku udhëheqësit e organizatës ushtarake pritet të shpallin një plan të ri për mbështetjen financiare për Ukrainën.

Në kuadër të përpjekjeve për të shkurajuar Perëndimin nga rritja e mbështetjes për Ukrainën, Rusia dhe aleatja e saj Bjellorusia nisën të martën fazën e dytë të stërvitjeve që synojnë përgatitjen e trupave të tyre në përdorimin e armëve taktike bërthamore./VOA

 

Fraksion.com